Ndërlidhjet

Tiranë: Kombinimet politike parazgjedhore


Ilustrim
Ilustrim

Zgjedhjet e radhës parlamentare në verën e vitit 2013, kanë ngritur shumë debat mbi kombinimet e mundshme elektorale. Futja në lojë e dy partive të reja, Aleanca Kuq e Zi e Kreshnik Spahiut, dhe partia që presidenti Bamir Topi do të krijojë pasi të largohet nga detyra, e kanë bërë më të vështirë zbardhjen e skemave.

Një pikëpyetje e madhe mbetet pozicionimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike që prej 2009-s.

Analistët formojnë një skemë të tyre, që në të gjitha rastet vërtitet rreth dy partive të mëdha, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.

Henri Çili nuk e sheh ndryshe LSI-në veçse në koalicion me PD-në.

“Lëvizja Socialiste për Integrim, është e dënuar, është e destinuar të konkurrojë në këto zgjedhje me Berishën me Partinë Demokratike dhe nuk ka shanse të tjera as për taktikë elektorale, sepse do të dëmtonin njëri-tjetrin edhe PD-ja LSI-në edhe LSI-ja PD-në po të konkurronin veç. Ky sistem është për të futur brenda koalicionit partitë e vogla, ku palët ndihmojnë njëra-tjetrën. Prandaj, në qoftë se Ilir Meta e pësoi shumë keq në vitin 2009, kur nuk kishte ç’të bënte kur konkurroi vetëm dhe i humbën gati 2/3 e votave, s’ka pse ta bëjë këtë budallallëk tani”, thotë Çili.

Por, LSI-ja nuk e ka shpallur ende vendimin nëse në 2013 do të jetë në koalicion me PD-në, çfarë ka krijuar jo pak dyshime për rikthimin e kësaj force politike në shtratin e saj natyral, si një subjekt i majtë politik, në koalicion me PS-në.

“Duket shumë larg! Pse duket shumë larg?! Sepse kthesat politike ose ndryshimet politike, kanë një lloj dinamike të caktuar, një lloj ligjësie”, thekson Çili.

Pozicionimi i LSI-së, sipas analistit Sokol Balla, duhet parë duke futur në analizë shumë prej sjelljeve politike të kësaj partie. Mbi këtë arsyetim, Balla thotë se zgjedhjet e radhës do të shënojnë një ndarje mes LSI-së dhe PD-së.

“LSI-ja dhe Ilir Meta kanë treguar se janë tepër pragmatistë! Disa sinjale të fundit të Ilir Metës mua, si opinionit, por edhe si qytetar i thjeshtë, më lënë të kuptoj që megjithëse kontrata e Ilir Metës me PD-në për bashkëqeverisje do të zbatohet deri në fund të mandatit, nuk është e sigurt që LSI-ja do të futet në koalicion me PD-në në zgjedhjet e tjera. Kush mendon ndryshe, e ka totalisht gabim, nuk e njeh mirë as LSI-në dhe as Ilir Metën”
, shprehet Balla.

I paqartë mbetet pozicionimi pas zgjedhor i partisë së Bamir Topit, nëse do të krijojë një të tillë, apo dhe Aleancës Kuq e Zi. Për shkak të një “lufte” të hapur me partinë demokratike, është folur shumë për një afrim të tyre me Partinë Socialiste. Analisti Balla jep këtë shpjegim:

“Besoj do të ishte zgjedhje e gabuar e zotit Topi që ai të futej nën një koalicion para apo paszgjedhor me zotin Rama dhe besoj ai nuk do ta bëjë këtë. Sa i përket Aleancës Kuq e Zi, biseda është krejt tjetër. Pavarësisht se ajo target kryesor të sulmit të saj sot ka Sali Berishën, besoj se është një formacion që nuk ka një pozicion ideologjik të pastër, pasi nuk mund të thuash që ka patriotë të majtë apo të djathtë. Mendoj që pozicionimi i Aleancës Kuq e Zi mund të jetë ndoshta pak më ndryshe, pas zgjedhjeve, në drejtim të dy alternativave qeverisëse, PD apo PS”.

Për analistin Çili është pikërisht historia e konfliktit që kanë me partinë demokratike të kryeministrit Berisha, ajo që do të lidhë nën një koalicion paszgjedhor Ramën, Topin dhe Spahiun:

“Si përfundim, unë do të thosha që koalicionet më të mundshme, post zgjedhore gjithmonë, do të ishin një shumicë PD-LSI dhe ndonjë parti tjetër e vogël, e cila do të mund të grumbullonte mandate, si çamët, PBDNJ-ja pse jo, etj., ose një koalicion Rama-Topi-Spahiu, nëse do të shfaqen potencialisht në hartë elektorale, për shkak të qëllimit të përbashkët për të rrëzuar nga pushteti Sali Berishën dhe Ilir Metën”
.

Fati i partive të tjera të vogla, do të jetë kryekëput i lidhur me sistemin zgjedhor. Të gjitha do të jenë në kërkim të një strehe nën partitë e mëdha, kush më shumë i favorizuar, kush më pak, siç thotë analisti Balla. Ai jep shembullin e Partisë Demokristiane të Nard Ndokës, aktualisht jashtë Parlamentit, si dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat ë Njeriut të Vangjel Dules.

“Nëse Nard Ndoka është në pozita më të dëshpëruara, Vangjel Dule është në pozita më të qeta, pasi ofertat për të nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen. Sërish për shkak të sistemit elektoral secila nga të dyja forcat e mëdha në, së paku, dy qarqe do të ketë shumë nevojë për minoritetin grek”, potencon Balla.

Por deri më 2013, mozaiku politik ka ende kohë të formohet. Siç ka treguar eksperienca, armiqtë politikë janë bërë miq dhe e kundërta, thotë analisti Çili, por bashkimet nën koalicione, s’mund të përjashtojnë atë çfarë ekziston, duke ngjizur produkte të çuditshme:

“Megjithatë, kurrë nuk thuhet kurrë sigurisht! Analiza politike nuk është fall politik. Por gjithsesi, realiteti politik nuk mund të shmanget aq fort dhe aq shumë jashtë disa realiteteve të politikës së momentit”, përfundon Çili.
XS
SM
MD
LG