Ndërlidhjet

Rreziku nga minimizimi i incidenteve


Komisari i lartë i OSBE-së, për pakicat kombëtare, Knut Volebek.

Komisari i lartë i OSBE-së, për pakicat kombëtare, Knut Volebek.

Komisari i lartë i OSBE-së, për pakicat kombëtare, Knut Volebek, thotë se situata e incidenteve ndëretnike në Maqedoni është serioze dhe se një konstatim të këtillë, siç shprehet ai, e ndajnë edhe shumë njerëz në Maqedoni, me të cilët ka biseduar gjatë vizitës së tij atje.

Volebek, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se incidentet nuk duhet nënvlerësuar, pasi ato ta rikthejnë vëmendjen edhe te historia jo e largët e këtij vendi duke menduar me këtë rast në konfliktin e vitit 2001.

“Mendoj se ajo që ne po shohim është një përkeqësim i situatës. Vlerësoj se ka shumë incidente ndëretnike dhe shumë njerëz, me të cilët kam biseduar, thonë se ka një përkeqësim. Është një rreth vicioz, që mendoj se duhet të merret seriozisht në konsideratë. Mund të diskutohet se cilat janë shkaqet e kësaj që ndodh, por nuk jam shumë i brengosur për arsyet, por më tepër janë i brengosur aspektin afatgjatë të kësaj”.

“Duke e parë historinë e këtij shteti, duke e parë se çfarë ka ndodhur më parë, mendoj se qeveria duhet me më shumë seriozitet, t’i trajtojë zhvillimet e sotme”,
thotë Volebek duke shprehur shqetësimin nga përpjekjet e zyrtarëve për të minimizuar atë që po ndodh në terren.

Komisari i lartë i OSBE-së, për pakicat fton qeverinë që të merret seriozisht me situatën e krijuar dhe të jetë më realiste në prononcimet e saj:

“Ndonjëherë e ndiej se bashkëbiseduesit e mi, njerëzit me të cilët takohem, tentojnë t’i minimizojnë incidentet. Kuptohet se nuk duhet t'i paraqesim më keq sesa që janë, por duhet të jemi realistë. Këto incidente, problemet ndëretnike në shtet nuk do të zhduken nëse i mbyllim sytë, pasi ju e dini më mirë se unë se kjo është pjesë e historisë dhe historia dëshmon se në një shoqëri ku ka ndasi, mjafton qoftë edhe një shkëndijë e vogël që të shkaktohet nja zjarr i madh. Andaj, e ftoj qeverinë që vërtet të jetë e vendosur dhe seriozisht t'i qaset kësaj çështjeje para se të jetë bërë vonë”.

Volebek shton se kjo mund të evitohet vetëm me një angazhim më të madh të të gjithë faktorëve për njohjen e njëri-tjetrit apo që njëra apo tjetra bashkësi etnike të mos ndihet e lënë pas dore.

Komisari i lartë i OSBE-së, gjithashtu, tërheq vërejtjet që nga ngjarjet e këtilla të mos tentohet të përfitohet politikisht, në veçanti nga partitë opozitare pasi përplasjet politike për çështjen e incidenteve mund ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën.

“Kjo mund të jetë ajo shkëndija, për të cilën fola aq shumë. Mendoj se në vend që të akuzohen mes tyre, ato duhet të punojnë së bashku dhe të thonë se çfarë ne si politikanë mund të bëjmë bashkërisht, të mos e bëjmë këtë çështje politiko-partiake, por si të bëjnë shoqëri nga kjo. Ne edhe më tej mund të mos pajtohemi për shumë çështje, por nuk duhet ta shfrytëzojmë përkatësinë etnike për marrjen e pushtetit”, thekson Volebek

Daljen nga situata e krijuar, Volebek e sheh në bashkërendimin e aktiviteteve mes qeverisë dhe sektorit civil për afrimin e komuniteteve përmes projekteve të ndryshme. Ai, po ashtu, si shumë domethënës për situatën, në të cilën ndodhet Maqedonia, e sheh edhe projektin e qeverisë për sistemin e integruar arsimor.

“Mendoj se është me rëndësi që ky proces të fillojë. Ne kemi filluar një projekt për integrimin e sistemit arsimor, pasi kjo është me rëndësi për një shoqëri të qëndrueshme. Në këtë kuadër, mendoj se si qeveria, ashtu edhe sektori civil, duhet të zbatojnë aktivitete të ndryshme që njerëzve t’u japin mundësi që të njihen dhe të bashkëpunojnë mes tyre".

"Rol më të madh në këtë ka sektori civil, por nevojitet angazhim më i madh nga politikanët. Ata duhet t’i mbështesin të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike“,
shprehet Volebek duke sqaruar më tej se projekti i OSBE-së që është refuzuar në veçanti nga klasa politike shqiptare, nuk ka për qëllim imponimin e maqedonishtes për nxënësit shqiptarë të klasave të para të fillores, por përmes mësimit të gjuhës së njëri-tjetrit, nxënësit të vendosin komunikimin dhe njohjen e ndërsjellë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG