Ndërlidhjet

Programi bërthamor - Obama paralajmëron Iranin


Barak Obama
Barak Obama
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i ka bërë thirrje Iranit të veprojë me “urgjencë” në zgjidhjen e programit të tij të diskutueshëm bërthamor.

Është koha për ta zgjidhur në rrugë diplomatike. Është gjithmonë preferencë e imja që këto çështje të zgjidhen me diplomaci. Por, koha kalon. Udhëheqësit e Iranit duhet të kuptojnë se edhe ata përballen me një zgjidhje. Irani duhet të veprojë me seriozitetin dhe urgjencën që kërkon momenti. Irani duhet t’i përmbushë obligimet e tij”, ka thënë Obama.

Ai i ka bërë këto komente në një universitet të Koresë Jugore, në prag të samitit për siguri bërthamore.

Perëndimi ka miratuar një varg sanksionesh kundër Teheranit, nga frika se ky i fundit synon krijimin e armës bërthamore. Por, pretendimet e tilla hidhen poshtë nga autoritetet iraniane.

Presidenti amerikan po ashtu u ka bërë thirrje liderëve të Koresë Veriore “të kenë kurajë për të ndjekur paqen”, ndërsa i ka paralajmëruar se provokimi do të çonte në të tjera dënime ndërkombëtare.

Obama ka thënë se do të kërkojë bisedime me Rusinë për reduktim, jo vetëm të armëve strategjike bërthamore, por edhe të atyre taktike dhe rezervë.

Ne do të kërkojmë bisedime me Rusinë për një hap që nuk e kemi ndërmarrë më herët – jo vetëm për reduktimin e armëve bërthamore strategjike, por edhe të atyre taktike dhe rezervë. Në lidhje me këtë, planifikoj të diskutoj me presidentin e zgjedhur, Vladimir Putin, kur të takohemi në maj”, ka thënë Obama.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë fuqizuar marrëveshjen e re për reduktimin e armëve bërthamore – START, e cila obligon të dyja palët të zvogëlojnë kokat bërthamore.

Sipas presidentit amerikan, komuniteti ndërkombëtar ka bërë progres në zvogëlimin e kërcënimit nga materiali bërthamor, por, megjithatë, “nuk duhet të ketë iluzione”. Në këtë rrafsh, Obama ka përmendur Ukrainën dhe Kazakistanin si “histori suksesi”.

Vendet si Kazakistani i kanë zhvendosur materialet bërthamore në lokacione më të sigurta. Vetëm dje, Ukraina u është bashkuar shteteve që kanë larguar uraniumin e pasuruar nga territori i tyre”, ka thënë kreu i shtetit amerikan.

Ai ka pranuar se Shtetet e Bashkuara kanë më shumë armë bërthamore sesa u duhen dhe se siguria, sipas tij, është e mundur edhe me reduktime të mëtejshme.

Në margjinat e samitit për siguri bërthamore, që zhvillon punimet të hënën dhe të martën në Seul të Koresë Jugore, Obama ka takuar edhe presidentin në largim të Rusisë, Dimitri Medvedev.

Pas bisedimeve të zhvilluara, Medvedev ka thënë se ka ende kohë për Moskën dhe Uashingtonin për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në lidhje me planet e SHBA-së për sistemin e mbrojtjes raketore në Evropë.

SHBA-ja dhe NATO-ja thonë se sistemi raketor në kontinentin evropian do të mbronte nga kërcënimet me raketa, nga vendet si Irani.

Autoritetet ruse shprehin shqetësimin se sistemi i tillë mund të bëhet i fuqishëm sa të minojë kontrollin bërthamor të Moskës.(v.t.)
XS
SM
MD
LG