Ndërlidhjet

logo-print

FOL: Ligji i Prokurimit Publik pamundëson transparencën


Ilustrim

Ilustrim

Lëvizja FOL ka publikuar “Analizën për Ndryshimet në Ligjin e Prokurimit Publik - në kontekst të Parimit të Transparencës”.

Sipas kësja lëvizjeje, qëllimi i kësaj analize ligjore është të vërejë se deri në ç’masë ka arritur Ligji për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës të parashohë zbatimin e parimit të transparencës në procedurat e prokurimit publik.

“Versioni i ri i ligjit, i aprovuar në gusht të vitit 2011, përsërit shumicën e të metave të ligjit të mëhershëm”, thotë koordinatori i projektit, Armend Pajaziti.

Ai ka thënë se “ligji është ende larg standardeve të BE-së në fushën e prokurimit publik, gjë që e konfirmon edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2011”.

Lëvizja FOL thotë se “ky ligj nuk përmbush nevojat e kërkuara për procedura transparente, madje disa procedura të reja prokurimi janë rregulluar në atë mënyrë që edhe përjashtojnë mundësinë e informimit të publikut dhe lënë mundësi për përjashtimin nga konkurrenca të Operatorëve Ekonomikë”.

Lëvizja FOL ka vënë në pah edhe paqartësitë e shumta që e karakterizojnë fushëveprimin e institucioneve kryesore të prokurimit, KRPP-së dhe OSHP-së.

Sipas lëvizjes, “duhet të rishikohen kompetencat e institucioneve të prokurimit publik, duke qenë se ekziston një konfuzion i madh në mesin e KRPP-së dhe OSHP-së, se cili është interpretuesi përfundimtar”.
XS
SM
MD
LG