Ndërlidhjet

logo-print
Kosova, e cila për vite të tëra është kritikuar nga mekanizmat ndërkombëtarë për ambient të pafavorshëm biznesor, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, edhe tani nuk ka arritur të përmirësojë klimën afariste. Ajo që e bën këtë klimë biznesore të pafavorshme, sipas ekspertëve të ekonomisë, është burokracia, procedurat e tepërta për fillimin e një biznesi, si dhe sundimi i ligjit.

Për këto pengesa ata kritikojnë institucionet, si në nivel qendror, po ashtu edhe në atë lokal. Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë se aktualisht institucionet e Kosovës duhet të kenë fokus kryesor krijimin e ambientit për inkurajimin e investimeve të huaja dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Ajo çfarë kemi aktualisht është një biznes që bazohet në tregti dhe pjesërisht në shërbime, dhe shumë pak është i orientuar në prodhimtari.

“Në Kosovë nuk është një klimë e favorshme e biznesit, për arsye se tregon edhe fakti se nuk kemi një komunitet të biznesit të zhvilluar. Ajo çfarë kemi aktualisht është një biznes që bazohet në tregti dhe pjesërisht në shërbime, dhe shumë pak është i orientuar në prodhimtari”, thotë Gashi.

Për ambient të pafavorshëm biznesor, Kosova vazhdimisht është kritikuar edhe në raportet e Bankës Botërore. Në njërin nga raportet e fundit të këtij institucioni financiar ndërkombëtar, Kosova kritikohet për procedurat e tepërta për fillimin e një biznesi.

Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se ambienti i pafavorshëm afarist po krijon pengesa të mëdha për zhvillimin e bizneseve. Moskrijimi i një klime të përshtatshme biznesore, sipas kryetari të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, po dërgon një mesazh të keq tek investitorët e huaj.

“Në këtë proces duhet të bëjmë më shumë për të krijuar një klimë më të mirë për bizneset, për të treguar partneritet më të mirë dhe të gjithë së bashku të promovojmë Kosovën si një vend me potenciale konkurruese për ekonominë regjionale dhe globale”, thekson Shahini.

Përmirësimi i klimës së biznesit në Kosovë është element esencial për inkurajimin edhe të investimeve të jashtme. Ndërkaq, sektori privat, që konsiderohet si fusha kryesore për zhvillimin ekonomik në vend, duhet të ndihmohet, vlerëson eksperti i ekonomisë Naim Gashi.
Aktualisht, ekziston një tendencë e përmirësimit, por me një fjalë, bizneset në Kosovë nuk po mund të gjejnë hapësirën që e meritojnë.

“Prej vitit 1999 deri në vitin 2008 kemi pasur një administratë ndërkombëtare, e cila ka qenë burokratike, e korruptuar dhe dekurajuese për krijimin e një klimë të favorshme investuese. Por, edhe pas shpalljes së pavarësisë, që nga vitit 2008 e tutje ne nuk kemi një klimë të përshtatshme biznesore në Kosovë. Aktualisht, ekziston një tendencë e përmirësimit, por me një fjalë, bizneset në Kosovë nuk po mund të gjejnë hapësirën që e meritojnë”, vlerëson Gashi.

Ndryshe, investimet e huaja në Kosovë nga viti në vit kanë shënuar rënie. Sipas raportit të fundit të publikuar nga Banka Qendrore të Kosovës deri në shtator 2011, shuma e përgjithshme e investimeve të huaja direkte në Kosovë arriti në 292.7 milionë euro.

Në këtë kontekst, thuhet në raportin e BQK-së, duhet bërë përpjekje për të siguruar një ambient sa më të favorshëm afarist, duke shfrytëzuar përparësitë që vijnë nga pozita e favorshme gjeografike, pasuritë e mëdha natyrore, struktura e re e popullsisë, e deri te politikat e favorshme fiskale dhe stabiliteti i përgjithshëm makroekonomik.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë konsiderojnë se niveli aktual i investimeve të huaja vlerësohet të jetë i pamjaftueshëm karshi mundësive të mëdha që ofron ekonomia e Kosovës.

Lexoni edhe këto:
Vizioni ekonomik - i dështuar
Përmirësohen politikat fiskale
Ambienti i pafavorshëm dëbon investimet
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG