Ndërlidhjet

Prishtina e Tirana diskutojnë pavarësinë ligjore


Kosovë...

Kosovë...


Kosova dhe Shqipëria kanë krijuar një bazë të mirëfilltë ligjore për ekzistimin e një sistemi të pavarur prokurorial, por mbesin ende sfida në garantimin e pavarësisë së tërësishme dhe reale të këtij sistemi nga politika, thanë kryeprokurorët e të dyja shteteve pas një takimi që zhvilluan të Prishtinë.

Kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, mohoi të ketë pasur ndërhyrje politike në sistemin prokurorial si sistem, por nuk përjashtoi mundësinë që ajo të ketë ndodhur individualisht te ndonjë prokuror.

Se a do të ketë dikush mundësi të ndikojë politikisht te një prokuror, varet vetëm prej atij prokurori. Unë them se në sistemin prokurorial, të cilin unë e menaxhoj deri sot, në Kosovë nuk kemi pasur ndërhyrje politike”, tha ai.

Homologia e tij shqiptare, Ina Rama, ndërkaq tha se do të duhet ende kohë deri në funksionimin e një sistemi prokuroria tërësisht imun nga politika.

Ina Rama

Ina Rama

Unë mendoj se ky është një proces që ka vështirësitë e tij-jo vetëm si vende si Shqipëria me një demokraci relativisht të brishtë, por edhe për vende me demokraci të konsoliduara. Kështu që është një proces, i cili sigurisht merr kohën e tij. Ka problematika, ka kosto, por unë mendoj se prokuroria shqiptare po vazhdon të bëjë përpjekjet e saja në këtë drejtim me qëllimin për ta forcuar pavarësinë e saj edhe reale, siç ajo parashikohet në Kushtetutë”, u shpreh Rama.

Mënjanimi i ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë janë përmendur vazhdimisht si parakusht dhe kritere kyçe edhe për avancimin e Kosovës dhe të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Në radhët e çështjeve që thuhet se duhet adresuar po ashtu nga institucionet përgjegjëse të të dyja vendeve u theksua edhe reformimi i sistemit të drejtësisë dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Përfaqësues të prokurorisë së shtetit kishin bërë të ditur, kohë më parë, se në hetimet për afera korruptive janë duke të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës.

Por, Kabashi nuk deshi të japë detaje të tjera për këtë çështje.

Unë nuk mund të them se a janë apo s’janë duke u hetuar. Mirëpo, të gjitha çështjet të cilat janë çështje për të cilat dyshohet se është kryer një vepër penale, qoftë nga ata të Qeverisë, udhëheqësve të lartë apo udhëheqësve aktualë, ato janë në punë në prokurori, janë në vlerësim dhe në mbledhje të informatave. Sigurisht që do të ndiqet penalisht çdo njeri i cili bie në kundërshtim me ligjin”, theksoi Kabashi.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë, kryeprokurorja e shtetit shqiptar, Ina Rama, u ofroi autoriteteve vendore mbështetjen e institucionit që ajo udhëheq në procesin e reformave dhe në atë të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare të prokurorisë.
XS
SM
MD
LG