Ndërlidhjet

Tekstet shkollore, debati për evitimin e gabimeve


Ilustrim
Ilustrim

Gabimet dhe fyerjet e ndryshme në tekstet shkollore me mësim në gjuhën shqipe nuk do të evitohen edhe një periudhë të gjatë, bazuar kjo në prononcimin e ministrit të arsimit, Pançe Kralev.

Ai i ka dhënë mbështetje propozim-ligjit për tekstet shkollore që tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare, por për mënjanimin e gabimeve, Kralev thotë se nevojitet kohë, pasi vërejtjet e shoqatave, por dhe individëve të caktuar, duhet të shqyrtohen në detaje nga komisione të veçanta.

Ka raste kur janë paraqitur vërejtje, kryesisht ato kanë të bëjnë për gabime në tekstet e historisë, pra vërejtjet kanë ardhur nga shoqatat e ndryshme të mësimdhënësve, por edhe organizata të ndryshme qytetare”.

Por, që të vijë deri te konstatimi se a janë fyese ose jo, nevojitet debat më i gjerë, sepse libri para se të vendoset në përdorim ka kaluar disa filtra, autorë, recensentë, komisionin kombëtar për tekstet shkollore kështu që këto paraqitje i nënshtrohet kontrollit shtesë. Nuk bëhet fjalë vetëm për historinë, në përgjithësi marrim vërejtje edhe për librat tjerë nga qytetarë e interesuar apo nxënësit të cilët vlerësojnë se një pjesë e tekstit është i papërshtatshëm”, ka deklaruar ministri Kralev.

Por, nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, nuk pajtohen me këto vlerësime, pasi sipas saj, gabimet tashmë një kohë të gjatë janë të evidentuar dhe se është koha e fundit që ato të përmirësohen.

Nuk është e vërtetë se duhet shumë kohë, sepse në kuadër të bashkëpunimit që ne kemi pasur edhe me ministrin, jemi marrë vesh që ato gabime sa më shpejt të evitohen dhe zëvendësi i tij ka formuar një komision për shqyrtimin e të gjitha gabimeve që nga klasa e parë e deri në klasën ne nëntë”.

Ai komision që ka qenë i përbërë kryekëput nga përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe byroja për zhvillimin e arsimit i kanë evidentuar të gjitha gabimet dhe të gjitha ato zëvendës ministri i ka dërguar te ministri i arsimit dhe ne presim që sa më shpejt ato gabime të evitohen, dhe prej shtatorit të mos ketë asnjë tekst shkollor me gabime”, thotë Nuhi Dardhishta Kryetar i LASH-it.

Gabime të natyrave të ndryshme, që nga ato gjuhësore, e deri tek ato të shtrembërimeve të fakteve historike, sipas Dardhishtës, ka thuajse në të gjitha tekstet shkollore.

Më së shumti ka gabime në përkthim, kuptohet se në tekstet e historisë kemi mjaft gabime historike. Gabime kemi edhe në lëndë tjera. Në tekstet e muzikës të gjitha këngët janë në gjuhën maqedonase, ato nga autorët shqiptar do të përmirësohen, kështu që nga kultura e muzikës - libri i klasës në katërt, të pestë dhe të gjashtë, do të do të përmirësohen. Këtë vit shkollor që vjen nuk do të ketë tekste të reja shkollore për klasën e shtatë nga asnjë lëndë”, u shpreh Dardhishta.

Ministri i arsimit ka thënë se gabimet në tekstet shkollore janë dukuri normale dhe se ato mund të jenë të pranishme edhe në të ardhmen, ashtu siç ndodh edhe në shumë vende të botës.

Por, në Maqedoni ndodh që edhe tekstet që ribotohen për shkak të gabimeve, sërish të përmbajnë gabime të njëjta apo edhe më të mëdha, siç ishte rasti me tekstin e “Shoqërisë”, në të cilin, kur flitet për shtetet fqinje të Maqedonisë, Republika e Kosovës, tregohet si pjesë e Serbisë, apo në rastin tjetër poshtë flamurit të Kosovës, të shkruhet Greqi.

Ka edhe raste tjera që janë vlerësuar si skandaloze, kur shqiptarë në tekstet e historisë përshkruhen si ardhacakë apo popull problematik dhe me prejardhje madje edhe indiane apo rome.
XS
SM
MD
LG