Ndërlidhjet

Beogradi nuk tërhiqet nga zgjedhjet në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim
Ministri i Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka deklaruar se Beogradi nuk ka hequr dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme në Kosovë, pas përgjigjjes negative nga ana e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

“Do t’i vazhdojmë bisedimet me Misionin e Kombeve të Bashkuara, me OSBE-në, me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurojmë mbajtje pa pengesa të zgjedhjeve në Kosovë”, i tha Bogdanoviq së përditshmes Danas.

Shefi i UNMIKU-ut, Farid Zarif, nëpërmjet një letre dërguar qeverisë së Serbisë, kishte theksuar se ky mision, sipas kushteve të tashme, nuk mund t’i organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë.

Ministri Bogdanoviq tha se çështja e sigurisë është shqetësimi kryesor gjatë marrjes së vendimit për zgjedhje dhe se për këtë arsye duhet të merren parasysh të gjitha problemet në terren.

Ai ka theksuar se nuk është fshehtësi që mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë e kundërshtojnë disa vende, por sipas tij, më i rëndësishëm është respektimi i rregullave të Serbsië dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Ai ka përsëritur se mosmbajtja eventuale e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, nuk nënkupton fikjen e institucioneve serbe. (f.b.)
XS
SM
MD
LG