Ndërlidhjet

logo-print

Fyle lanson fizibilitetin, rikujton agjendën për veriun


Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle ka lansuar edhe zyrtarisht procesin e hartimit të studimit të fizibilitetit për Kosovën.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Fyle u ka dorëzuar presidentes dhe kryeministrit të Kosovës dokumentin me të cilin shënohet edhe zyrtarisht fillimi i studimit të fizibilitetit.

Fillimisht, Fyle mori pjesë në aktin e themelimit të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane i cili do të funksion nën udhëheqjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Jam i lumtur që këtë herë nuk erdha në Prishtinë duarthatë. Kësaj radhe lansuam fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën, si një proces që qon kah negociatat për marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit”, ka thënë Fyle.

Ky studim do të bëj një përfshirje të vlerësimeve lidhur me të arriturat në Kosovë. Studimi, nënvizoi Fyle, do të identifikoj edhe sfidat që duhet përmbushur tutje, në mënyrë që edhe Kosova një ditë të mund të negocioj për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Zhvillimi i tregtisë, sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian, përparimet në administratën publike, arritja e konsensusit të gjerë politik për agjendën evropiane - ku përfshihen reformat për zgjedhje të lira e demokratike, sundimi i ligjit dhe së fundit integrimi i pakicave, ishin çështjet të cilat Fyle i përmendi si prioritete në rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Këtë vit ne dëshirojmë të bëjmë një përparim vendimtar për vizat, tregtinë dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së”, theksoi Fyle.

Në anën tjetër, presidentja Atifete Jahjaga tha se integrimet evropiane, krahas bashkëpunimit dhe miqësisë me Shtetet e Bashkuara janë jetike për Kosovën.

Për procesin e integrimeve, në Kosovë ka një konsensus të plotë politike, tha Jahjaga.

Për këtë qëllim ajo edhe zyrtarisht shpalli të formuar Këshillin Kombëtar për Integrime Evropiane, ku përveç qeverisë dhe kreut të Kuvendit ishin të pranishëm dhe një pjesë e opozitës dhe shoqërisë civile.

Rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO është synim dhe vullnet i yni për të cilin të gjitha grupimet politike por edhe të gjitha nacionalitetet që jetojnë këtu, kemi konsensus të plotë”, është shprehur Jahjaga.

Komisionari Fyle ka takuar ndaras edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai e rikujtoi lidershipin kosovar sërish edhe për një agjendë politike e gjithëpërfshirëse për veriun dhe kërkoi nga të gjitha subjektet politike ta mbështesin këtë agjendë. Ai tha se atje duhet të vendoset komunikimi dhe jo konfrontimi.

Nuk kam ardhur këtu në Prishtinë me një listë konkrete të çështjeve që duhet imponuar Qeverisë. Mendoj se është në duart e Prishtinës që të krijoj qasje të komunitetet në veri”, theksoi Fyle.

Ai megjithatë e ka përjashtuar mundësinë që për veriun të ketë një agjendë të fshehtë politike.

Për sfidat e sundimit të ligjit në veri ka folur edhe kryeministri Hashim Thaçi.

Ai tha se ka një unitet te faktori vendor dhe ai ndërkombëtar që edhe atje të shtrihet ligjshmëria dhe pushteti legal.

Unë shpreh përkushtimin tim si kryeministër i Kosovës, në emër të qeverisë së Kosovës për bashkëpunim dhe komunikim direkt me komunitetin serb që jeton në veri të vendit me qëllim të integrimit sa më të mirë, sa më të shpejtë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së tyre socio-ekonomike”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, komisionari për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle tha sot në Prishtinë se viti 2012 është një vit i mundësive për Kosovën.

Studimi i fizibilitetit, tha ai, është një hap i rëndësishëm i fillimit të raporteve të Kosovës me Be-në, kurse udhërrëfyesi për vizat, sipas tij, do t’i prezantohet Kosovës gjatë kësaj pranvere.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG