Ndërlidhjet

Siria ka pranuar planin e Ananit


Emisari ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan.

Emisari ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan.

Ahmad Favzi, zëdhënës i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan, ka thënë se Qeveria e Sirisë e ka pranuar planin e Ananit për përfundimin e konfliktit.

Këtë pajtueshmëri qeveria në Siri thuhet ta ketë shprehur në letrën dërguar emisarit ndërkombëtar.

Plani në fjalë, pos tjerash, parasheh ndalimin e menjëhershëm të dhunës, qasjen e grupeve humanitare në zonat e rrethuara, si dhe dialog ndërmjet qeverisë dhe opozitës.

Plani Anan është mbështetur edhe nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Rusinë dhe Kinën – dy shtetet që më herët kanë bllokuar dy rezolutat që dënonin regjimin e Asadit.

Një anëtar i Këshillit Kombëtar të Sirisë tha se opozita ka mirëpritur bekimin e qeverisë siriane për planin paqësor të Kombeve të Bashkuara.

Basma Kodmani i ka thënë AP-së se “mirëpret pranueshmërinë e planit nga ana e regjimit, me të cilin mundësohet ndërprerja e represionit dhe gjakderdhjes”.

Kombet e Bashkuara thonë se afro 8 mijë persona janë vrarë në dhunën në Siri, prejse kanë filluar protestat kundër regjimit të presidentit, Bashar al-Asad, në mars të vitit të kaluar.
XS
SM
MD
LG