Ndërlidhjet

"AKI-ja është i vetmi institucion që mbledh informacion dhe që kryen veprimtari të inteligjencës në Kosovë. Nuk them se partitë politike kanë shërbime, por nëse individë të caktuar thirren me emra të caktuar ose me emra që kanë ekzistuar me herët, është çështje kriminale që duhet të adresohet, edhe nga ne, edhe nga policia", thotë për Radion Evropa e Lirë, Bashkim Smakaj, shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Smakaj, a ka arritur Agjencia Kosovare e Inteligjencës, të kompletohet dhe të funksionojë ashtu siç funksionojnë organet e tilla të inteligjencës?

BASHKIM SMAKAJ
Po, ne si agjenci po thuajse i kemi përmbyllura të gjitha fazat e konsolidimit dhe jemi në rrjedha normale të funksionimit si agjencie e inteligjencës, paralel me shërbimet e ngjashme si partnere që funksionojmë dhe operojmë në territorin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në ndërtimin e AKI-së?


BASHKIM SMAKAJ
Ju e dini se në kohën kur kemi nis punën, kam qenë vetëm unë si drejtor; pas disa muajve ka pasuar emërimi i zëvendësdrejtorit dhe inspektorit të përgjithshëm...

Ne nuk kemi trashëguar asnjë gjë të vetme si shërbim i ri, as sa i përket arkivave dhe dosjeve të së kaluarës, as personel të trashëguar nga shërbimet më herët, as infrastrukturë përcjellëse.

Të gjitha keto kanë paraqitur një barrierë të vazhdueshme, derisa kemi arritur fazën e normalizimit, do të thotë edhe të infrastrukturës, edhe të ndërtimit të arkivave të agjencisë ose dosjeve operacionale të tanishme, gjithashtu edhe disa kompletime të arkivave në bazë të bashkëpunimeve me shërbime partnere, të cilat kanë pasur pjesë në arkiva që kanë funksionuar në kuadër të shtetit të dikurshëm të Jugosllavisë.

RADIO EVROPAE E LIRË
Kur jemi të funksionimi i AKI-së, sa po arrin të shtrijë veprimtarinë e vet ky institucion edhe në veri të Kosovës ?


BASHKIM SMAKAJ
Ne kemi bërë publike shtrirjen tonë edhe në veri kohë më parë. Ne, në prioritet themelor në agjenci e kemi pasur edhe mbledhjen e informacioneve për çështje të sigurisë së vendit edhe nga veriu i vendit.

Ne kemi bërë shtrirjen edhe të oficerëve ose të zyrtarëve operativ të agjencisë në veri të vendit dhe operojnë jashtë zakonisht mirë, po gjithashtu edhe shtrirjen e rrjetit të agjenturës së fshehtë në atë pjesë të vendit.

Kemi arritur numër të konsiderueshëm të burimeve të informacionit në atë pjesë të vendit dhe pothuajse për të gjitha ngjarjet jemi në rrjedha të vazhdueshme, si agjenci e inteligjencë.

RADIO EVROPA E LIRË
AKI-ja a ka arritur deri me tash të krijojë relacione bashkëpunuese me institucionet e jashtme të inteligjencës?


BASHKIM SMAKAJ
Po, kjo në fakt ka qenë edhe ndihma kryesore. Ne si agjenci kur kemi filluar - do të thotë fazat e para edhe të themelimit të agjencisë - kryesisht është dashur të orientohemi në partneritet, është dashur të gjejmë partnerë të besueshëm, që na mbështesin fuqishëm në realizimin e objektivave të ndërtimit të institucionit tonë.

Ne fillimisht kemi nisur bashkëpunimin me shërbimet të vendeve të QUINT-it që na kanë përkrahur vazhdimisht dhe vazhdojnë të na përkrahin, edhe në ndërtim, edhe në konsolidim, edhe në infrastrukturë, në teknologji, në specializime të stafit të AKI-së.

Gjithashtu, krahas operacionalizimit të agjencisë, ne kemi bashkëpunim e partneritet edhe me vendet e rajonit dhe shërbimet e tyre. Pra, me përjashtim të Serbisë, pothuajse me të gjitha shërbimet e vendeve të rajonit në baza ditore komunikohet dhe shkëmbehet informacion dhe me gjerë, siç e thash me herët, edhe me vendet e QUINT-it dhe shërbimet e tjera me interes të përbashkët, në adresimin e sfidave të shkëmbim të inteligjencës së përbashkët.

Ne si agjenci kemi arritur edhe ato fazat e operacioneve të përbashkëta me shërbime partnere, dihet që fazat e fundit dhe fazat e avancuara të bashkëpunimit të shërbimeve të inteligjencës janë edhe operacionet e përbashkëta në mes të dy apo tri shërbimeve partnere, varësisht prej nivelit dhe serioziteti të operacionit.

Po ne si agjenci ka kohë që kemi filluar edhe operacione të përbashkëta me shërbime partnere.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se ju besojnë qytetarët si institucion i sigurisë?


BASHKIM SMAKAJ
Shikoni, shërbimet e inteligjencës i kanë tri fusha kryesisht të mbledhjes së informacionit. Është inteligjenca njerëzore, është inteligjenca teknike, në bazë të teknikës dhe teknologjisë mbledhja e informacionit përmes mekanizmave të ndryshëm, dhe është edhe ajo e burimeve të hapura.

Të trija këto, përmbyllin atë ciklin e mbledhjes së informacionit. E vështirë është si inteligjencë të vijmë deri te konkludimi se ka apo nuk ka besueshmëri, kur dihet se e tërë veprimtaria e shërbimeve është e klasifikuar dhe është e mbyllur për publikun.

Mirëpo, në bazë të bashkëpunimit dhe shtrirjes së agjenturës së fshehur në terren, ne konsiderojmë se kemi bërë shumë. Pasuria e çdo shërbimi varet nga agjentura në terren dhe sa më shumë që të ketë burime informacioni në terren, aq me i vlefshëm është edhe shërbimi.

Por, që të behet një relacion ose një krahasim se a kemi arritur kënaqshmërinë e popullatës në terren, është e vështirë të dihet për ne si një institucion i ri, por çdo ditë e më tepër shtohen edhe qytetarët tanë që duan të bashkëpunojnë, duke dhënë informacione të rëndësishme, në interes shtetit, për agjencinë. Gjihtashtu, po rritet edhe numri i të rekrutuarve si pjesë e agjenturës së fshehur për nevoja të agjencisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po institucionet qeverisëse, mendoni se janë të kënaqura me punën tuaj të deritashme?


BASHKIM SMAKAJ
Prapë është relative ajo çka mund të them unë. Ne i raportojmë kryeministrit dhe presidentit për nevoja të sigurisë dhe kishte me qenë shumë më e arsyeshme që ky vlerësim të vijë prej këtyre dy titullarëve të këtyre institucioneve dhe komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Anëtarë të Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së kanë thënë se nuk po arrijnë të mbikëqyrin punën tuaj. Ku qëndron problemi? A ka të bëjë diçka kjo punë me mosverifikimin e anëtarëve të komisionit rreth besueshmërisë së tyre për qasje të lirë dhe pa barriera sigurie në AKI?


BASHKIM SMAKAJ
Çështja e verifikimit është një proces që ka filluar me vonë. Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së ekziston edhe para hyrjes në fuqi të Ligjit mbi informacionin e klasifikuar dhe verifikimin e sigurisë.

Çështja e verifikimit është një proces që ka filluar dhe nuk ka qenë pengesë për raportimin tonë para komisionit për mbikëqyrje. Unë prapë them se ne kemi raportuar vazhdimisht sa herë që na është kërkuar prej komisionit parlamentar për mbikëqyrje.

Ligji parasheh që të paktën dy herë gjatë vitit drejtori të raportojë gojarisht para komisionit për veprimtarinë dhe punën e AKI-së dhe ne vetëm vitin e fundit kemi qenë mbi pesë herë para komisionit.

Unë nuk konsideroj që ka ngecje në mbikëqyrjen e AKI-së. Procesi i verifikimit është i shkëputur, sa më shumë që kërkohet qasje në nivel informacionesh atëherë ligji parasheh që çdo person që do të ketë qasje në informacion të klasifikuar duhet të pajiset me leje përkatëse të sigurisë dhe ky është proces për të cilin ne kemi ndërtuar një departament të veçantë, në kuadër të AKI-së. Ky departament është ndërtuar mbi bazat e standardeve më të mira të NATO-s dhe Bashkimit Evropian që merren me verifikimin e sigurisë të gjithë atij personeli që do të ketë qasje në informacione të klasifikuar.

Po kjo nuk është pjesë që i takon vetëm komisionit, të gjithë personat nëpër institucionet publike dhe kontraktues të institucioneve publike që do të kenë qasje në informacion të klasifikuar, varësisht prej nivelit, duhet t’i nënshtrohen procesit të verifikimit dhe duhet të pajisen me leje përkatëse të sigurisë.

Asnjë person që do të ketë qasje në informacione të klasifikuara nuk mund ta ketë atë qasje nëse nuk e ka lejen përkatëse të sigurisë. Kjo vlen edhe për anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Kemi filluar procesin e verifikimit të sigurisë, procesi varet edhe prej nivelit të verifikimit dhe parashihen edhe afate kohore brenda ligjit se kur duhet të përmbyllet ky proces, nuk ka vend për shqetësim për asnjërën fazë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit janë ngritur debate për funksiononimin e shërbimeve të fshehta partiake në Kosovë. Në bazë të punës së deritanishme, a keni vërrejtur një gjë të tillë?


BASHKIM SMAKAJ
Për ketë çështje kam raportuar edhe para komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së. Kjo ka qenë e shënuar në një rresht të vetëm në Raportin e Komisionit Evropian, në raportin prej disa faqeve që ka qenë diku 62, 63 gjithsejt.

Dhe kjo ka zgjuar debat edhe në publik; e kam thënë edhe në komision se shërbime të inteligjencës përveç AKI-së, dhe kuptohet pjesa e FSK-së, e policisë dhe Doganave që i kanë strukturat e inteligjencës për nevoja të veta, nuk ka asnjë shërbim që mbledhë informacion për sfidat e sigurisë së vendit, cenimit të sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës, informacione për luftën kundër terrorizimit, krimit të organizuar, kundër spiunazhit - nuk ka asnjë subjekt politik që ka shërbime të tilla që bëjnë konkurrencë ose bëjnë veprimtari të inteligjencës në Republikën e Kosovës.

AKI-ja është i vetmi institucion që mbledh informacion dhe që kryen veprimtari të inteligjencës në Kosovë. Nuk them se partitë politike kanë shërbime, por nëse individë të caktuar thirren me emra të caktuar ose me emra që kanë ekzistuar me herët, është çështje kriminale që duhet të adresohet, edhe nga ne, edhe nga policia.

Por, si shërbime të inteligjencës për të cilat dëgjohet në publik, ne nuk kemi hasur asnjëherë ose nuk hasim në atë që dikush na bën konkurrencë ose që mbledh informacion për interesa të Kosovës. Të paktën ne nuk kemi ndonjë informacion të mirëfilltë që na dëshmon ne që dikush tjetër është duke bërë veprimtari të inteligjencës në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG