Ndërlidhjet

SHBA, sanksione të reja për Iranin


Ilustrim

Ilustrim

Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj dy kompanive iraniane dhe tre anëtarëve të Forcës Kuds të Iranit, për rolin e tyre në eksportimin e armëve në Siri dhe Afrikë.

Sanksionet godasin kompanitë Yas Air dhe Behineh Trading, si dhe individët: Esmail Ghani, Said Ali Akbar Tabatabej dhe Susein Aghajan.

Sipas Qeverisë amerikane, veprimet e tyre i kanë ndihmuar Iranit t’iu shmanget sanksioneve ndërkombëtare për eksportim armësh.

Nënsekretari amerikan për Terrorizëm dhe Inteligjencë, Dejvid Kohen, tha se aktivitetet në fjalë tregojnë “ndikimin malinj të Iranit në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe më gjerë”.

Ai u zotua se Uashingtoni do të vazhdojë të vërë në pah zyrtarët dhe kompanitë e përfshira dhe se do t’i mbajë përgjegjëse ato për vuajtjet që shkaktojnë.

Sanksionet ngrijnë të gjitha asetet në SHBA të individëve dhe kompanive të goditura, si dhe ndalojnë marrëveshjet biznesore të tyre me shtetasit amerikanë.
XS
SM
MD
LG