Ndërlidhjet

Policia e Kosovës arreston katër serbë


Ilustrim

Ilustrim

Autoritet kosovare shprehen të vendosura që të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Ndonëse pranojnë që shumë më sfiduese do të jetë parandalimi dhe pengimi i këtyre zgjedhjeve në pjesën veriore, zyrtarë të qeverisë thonë se të gjithë ata që do të merren me organizimin e këtyre zgjedhjeve, të shpallura tashmë ilegale nga Kuvendi i Kosovës, do të ballafaqohen me ligjin.

Si rrjedhojë e këtij angazhimi, policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e katër serbëve, në pikëkalimin Dheu i Bardhë, në automjetin e të cilëve është gjetur material zgjedhor.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se përpjekjet e Serbisë për organizimin e zgjedhjeve në territorin e Kosovës do të dështojnë.

Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar maksimalisht me gjitha autoritetet ndërkombëtare që pretendimi i Serbisë për të organizuar zgjedhje në Republikën e Kosovës të dështojë plotësisht, sepse ne do të respektojmë në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ky pretendim i vlerësuar dhe vlerësohet edhe sot si agresion i Serbisë në Republikën e Kosovës, një pretendim që do dështojë në tërësi”, ka deklaruar Thaçi.

Në përpjekje për të organizuar përgatitjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, katër serbë, përfshi aty edhe kryetarin ilegal të komunës së Vitisë, janë arrestuar të martën nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani bëri të ditur se në pikëkalimin kufitar Kosovë – Serbi të quajtur Dheu i Bardhë, gjatë një kontrolli policia ka gjetur material zgjedhor në një automjet.

Aty kishte dhe një listë votuese si dhe një vulë e komunës paralele të Vitisë.

Policia e Kosovës, vijoi Kelani, në konsultim me prokurorin, katër personat e ndaluar me këtë rast i ka dërguar në qendrën e mbajtjes.

Ai tha se këta persona kanë shkelur rendin juridik të Kosovës.

Policia e Kosovës në bazë të planeve të saj do i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore për pengimin apo moslejimin e zgjedhjeve të tilla, sepse janë cilësuar dhe rasti i djeshëm është cilësuar si sulm ndaj rendit juridik të Kosovës”, ka thënë Kelani.

Autoritetet e Serbisë kanë reaguar menjëherë duke kërkuar nga EULEX-i lirimin e të ndaluarve.

Sipas njoftimeve, të arrestuar janë “kryetari ilegal i komunës së Vitisë, Sreqko Spasiq, dy punonjës të administratës paralele të kësaj komune, dhe një person tjetër që dyshohet t’u përkasë strukturave të pushtetit paralele të Serbisë në Kosovë”.

Kohë më parë, Policia e Kosovës pati arrestuar edhe gjashtë pjesëtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në rajonin e Gjilanit.

Po ashtu, në valën e arrestimeve për shkak të veprimtarisë ilegale në Kosovë, autoritetet policore patën arrestuar edhe disa punonjës serbë të Postës dhe Telekomit të Serbisë, tek të cilët ishte konfiskuar material me përmbajte të dyshimtë tregtare.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi thotë se të gjithë ata që do të ndërmarrin veprime ilegale do të trajtohen sipas ligjit, në cilëndo pjesë të Kosovës.

Ai ka pranuar se autoritetet kosovare po sfidohen të veprojnë në veri, por sipas tij, arrestime dhe trajtim para ligjit do të ketë për çdo kënd që vepron dhe bie ndesh me ligjin.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG