Ndërlidhjet

Klinton kërkon vepra, jo fjalë nga Asadi


Hillari Klinton
Hillari Klinton

Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton ka reaguar ndaj lajmit se presidenti sirian Bashar al Asad është pajtuar me planin për paqe të të dërguarit të OKB-së, duke thënë se veprimet e regjimit sirian janë më të rëndësishme sesa fjalët.

Është i rëndësishëm hapi fillestar që regjimi i Asadit i ka shkruar OKB-së për ta pranuar planin e Ananit. Megjithatë, më lejoni të them se marrë parasysh të kaluarën e Asadit, me premtime të mëdha dhe pa realizime, përkushtimi i tanishëm duhet të matet me veprime të menjëhershme. Do ta gjykojmë sinqeritetin dhe seriozitetin e Asadit me atë çka bën dhe jo me atë çka thotë”, tha Klinton.

Ndihmësit e të dërguarit të OKB-së në Siri, Kofi Anna, konfirmuan marrjen e letrës nga Asadi.

Plani bën thirrje për përfundimin e dhunës, qasjen e ndihmave humanitare në zonat e rrethuara dhe fillimin e bisedimeve mes qeverisë dhe opozitës.

Klinton paralajmëroi opozitën siriane se duhet të përgatitet që të shfaqë “përkushtim të qartë për përfshirjen e të gjithë sirianëve dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë sirianëve”.

Në mënyrë specifike sa i përket opozitës, ata duhet të vijnë me një pozicion të bashkuar- një vizion të asaj Sirie që duan ta ndërtojnë. Ata duhet të jenë të gatshëm që të shfaqin një përkushtim të qartë për përfshirjen e të gjithë sirianëve dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë sirianëve. Ne do t’i shtyjmë përpara që ta paraqesin një vizion të tillë në Stamboll. Kemi shumë punë për të bërë nga tash deri të dielën”, tha Klinton.

Grupi sirian opozitar është takuar të martën në Stamboll për të dytën ditë me radhë dhe raportohet se është pajtuar që Këshilli Kombëtar Sirian do të jetë “bashkëbiseduesi zyrtar dhe përfaqësuesi zyrtar i popullit të Sirisë”, sipas një deklarate të lëshuar pas konferencës së opozitës.

Disa përfaqësues të opozitës janë cituar të kenë thënë se nuk i besojnë presidentit Asad dhe qeverisë së tij dhe as zotimeve se do ta pranojë planin e paqes së Ananit.

Ndërkohë, një grup kurd, raportohet se është larguar nga konferenca opozitare, duke thënë se pikëpamjeve të tyre iu është dhënë vëmendje e pamjaftueshme.

Kombet e Bashkuara të martën rritën shifrat e të vdekurve për një vit të trazirave në Siri në 9 mijë persona.

Robert Seri, një i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, i tha Këshillit të Sigurimit se shifrat janë të bazuara në “vlerësime të besueshme” të vrasjeve të shkaktuara nga aksionet qeveritare kundër disidentëve dhe sulmeve të luftëtarëve kryengritës kundër regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad.

Ai njoftoi për një letër të autoriteteve siriane, përmes së cilës pajtohen me iniciativen e planit të paqes të Ananit dhe tha se Anan ka theksuar në bisedimet me zyrtarët sirianë, se ata duhet ta shfaqin qartë qëllimin e tyre për të zbatuar planin e paqes.

Zoti Anan i ka shkruar presidentit Asad duke i kërkuar që qeveria siriane përkushtimet t’i zbatojë në praktikë. Zoti Anan ka theksuar se zbatimi do të jetë thelbësor, jo vetëm për popullin sirian, që janë zënë në mes të kësaj tragjedie, por po ashtu edhe për rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar në tërësi”, tha Serri.

Në Siri, kanë vazhduar luftimet edhe të martën, me pretendimet se forcat siriane kanë kaluar kufirin me Libanin.

Disa dëshmitarë libanezë thanë se trupat siriane kanë kaluar kufirin gjatë luftimeve afrë qytetit kufitar libanez të Kasë, në përpjekje për të ndjekur forcat opozitare.

Zyrtarët libanezë mohuan se ndonjë trup sirian ka kaluar kufirin, duke thënë se plumbat nga luftimet e zhvilluara afër kufirit, kanë kaluar edhe në territorin libanez.(a.i.)
XS
SM
MD
LG