Ndërlidhjet

“ Foreign Policy”

Shkruan: Mit Romni, ish-guvernator i Masaçusec, njëherësh pretendent i Partisë Republikane për të kandiduar kundër presidentit Barak Obama në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.



Nganjëherë janë momentet e pakujdesisë ato që demaskojnë shumëçka. Presidenti Obama ka pasur një të tillë në samitin e Koresë Jugore. “Kjo është zgjedhja ime e fundit”, i ka thënë Obama presidentit të Rusisë, Dimitri Medvedev, në një bisedë që pa dashje është kapur nga mikrofonat. “Pas zgjedhjes sime, unë do të kem më shumë fleksibilitet”.

Por, fleksibilitet për çfarë? Presidenti i ka përmendur Medvedevit mbrojtjen raketore, si një fushë ku Kremlini mund të presë më shumë fleksibilitet. Kjo është alarmante.

Andaj, edhe nuk është rastësi që zoti Medvedev është i zënë me sulmet ndaj meje. Rusët qartazi preferojnë të bëjnë biznes me kreun aktual të Shtëpisë së Bardhë.

Dhe, nuk është e vështirë të kuptohet pse. Incizimet tregojnë se presidenti Obama ka qenë fleksibil në mbrojtjen raketore dhe fushat e tjera të sigurisë bërthamore. Pa nxjerrë koncesione të rëndësishme nga Rusia, ai ka hequr dorë nga pozicionet tona të mbrojtjes raketore në Poloni. Ai i ka dhuruar Rusisë limite të reja në arsenalin tonë bërthamor.

Moska i ka paguar këto dhurata me asgjë, pos obstruksionit në Kombet e Bashkuara për një grumbull të tërë çështjesh. Ajo ka vazhduar të armatosë regjimin e diktatorit vicioz të Sirisë dhe të bllokojë përpjekjet e shumta për të ndaluar kërdinë e vazhdueshme atje. Ajo ka qenë një gjemb në anën tonë, në çështje jetike për sigurinë kombëtare të Amerikës. Për tre vjet, politika e presidentit Obama ndaj Rusisë ka qenë: “Ne japim, Rusia merr”.

Siç tregon edhe biseda në Korenë e Jugut, Obama duket të jetë i vendosur për t’i hyrë në zemër Kremlinit. Kjo, për fat të keq, duket të jetë kuptimi i vërtetë i politikës së tij për “rivendosjen” e marrëdhënieve. Një shembull i shquar është thirrja personale që Barak Obama i ka bërë Vladimir Putinit nga “Air Force One”, për t’i uruar zgjedhjen në postin e presidentit të Rusisë.

Thirrja ka pasuar deklaratën e Departamentit të Shtetit se “SHBA-ja uron popullin rus për zgjedhjet presidenciale”. Marrë parasysh se zgjedhjet ruse janë parë të komprometuara me frikë dhe mashtrim, këto fjalë janë tallje me angazhimin e Amerikës për demokraci dhe të drejta të njeriut. Ato godasin të gjithë ata në Rusi që rrezikojnë aq shumë për të luftuar për të drejtat universale, që ne vetë i gëzojmë. Ato janë tradhti e turpshme e parimeve primare të vendit tonë.

Biseda e presidentit Obama me Medvedevin ngre dyshime jo vetëm rreth politikës së tij ndaj Rusisë, por për gjithë politikën e tij të jashtme.

Në një vend vetëqeverisës si i yni, qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë lloj vendimesh merren në emër të tyre. Populli amerikan meriton sinqeritet. Ai po ashtu meriton një politikë të jashtme të bazuar në parimet tona të forta.

Për fat të keq, ajo me çfarë përballet tani, është një rishfaqje e keqe e paaftësisë së Xhimi Karterit në kohën kur Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për forcën dhe kurajën e një Ronald Regani. Në marrëdhëniet e tij me Kremlinin, ashtu si në marrëdhëniet e tij me pjesën tjetër të botës, presidenti Obama ka treguar dobësi që të lënë pa frymë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG