Ndërlidhjet

Kritikohen arrestimet e serbëve në Kosovë dhe paralajmërohet reciprocitet


Ivica Daçiq

Ivica Daçiq

Ministri serb i punëve të brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë se arrestimi i katër serbëve është shembull klasik i “paturpësisë dhe presionit” mbi serbët e Kosovës dhe ka paralajmëruar masa reciproke, në mesin e të cilave është edhe arrestimi i dy shqiptarëve mëngjesin e sotëm në Konçul, tek Dheu i Bardhë, në kufirin Kosovë – Serbi.

Të arrestuarit janë Hasan Abazi, kryetar i Sindikatës së Industrialistëve të Kosovës, i cili ishte nisur për në Kroaci dhe Adem Murseli.

Abazi është arrestuar, sipas Daçiqit, nën dyshimet për “spiunazh” dhe bazuar në një fletarrest të lëshuar nga “gjykata e qarkut në Gjilan”, kurse Murseli për “tregti me drogë” bazuar në një fletarrest të lëshuar nga drejtoria e Policisë në Beograd.

“Nëse dikush dëshiron të bëjë gara kemi edhe ne përgjigjen tonë. Është e turpshme se çfarë toleron komuniteti ndërkombëtar, është turp të arrestohen njerëzit, të cilët nuk kanë bërë asnjë vepër penale dhe tani shtrohet pyetja si janë duke u zbatuar në fakt marrëveshjet e arritura”, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Beograd.

Në pikëkalimin Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë katër serbë, nën dyshimet se kanë shkelur rendin juridik të Kosovës. Tek të arrestuarit, në mesin e të cilëve janë edhe punonjës të strukturave paralele serbe në Viti, autoritetet e rendit kanë gjetur material zgjedhor të Serbisë.
XS
SM
MD
LG