Ndërlidhjet

logo-print

Lunaçek: Serbia të përmbahet nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë


Ulrike Lunaçek, raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën

Ulrike Lunaçek, raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën

Në Parlamentin Evropian në Bruksel sot është diskutuar për Kosovën, me ç’rast është paraqitur edhe raporti i raportueses për Kosovën,Ulrike Lunaçek, e cila tha se raporti i saj “ka për qëllim të dërgoj mesazh të fuqishëm te shtetasit e Kosovës,se e ardhma e Kosovës së pavarur është në Bashkimin Evropian”.

Mëtutje ajo u ka bërë thirrje pesë vendeve të Bshkimit Evropian, që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, që ta bëjnë këtë, pasi “kjo do t’i bënte më efektive përpjekjet e BE-së”.

Ulrike Lunaçek ka kërkuar që qeveria e Kosovës t’u afrohet qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa nga serbët e veriut kërkoi ta pranojnë planin Ahtisari.

Ajo tha se “Serbia duhet të përmbahet nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në pjesën veriore të Kosovës, pasi ato janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare” dhe bile nuk janë në linjë as me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Lunaçek, poashtu, i ka bërë thirrje Serbisë që “ta ndalë mbështetjen për strukturat paralele” në Kosovë.

Raportuesja Lunaçek tha se në Kosovë duhet të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, të punohet në reforma ekonomike, reforma zgjedhore, sundim të ligjit, liri të mediave, e të tjera.

Ajo ka shfaqur shpresën se raporti i saj do të miratohet.

Nga ana tjetër, komisionari i Bashkimit Evropian për zgjerim, Shtefan Fyle, tha se me vizitën e tij të djeshme në Prishtinë ka filluar studimi i fizibilitetit për Kosovën, që “për objektiv ka një analizë gjithëpërfshirëse dhe të thellë të gatishmërisë së Kosovës, për të zhvilluar negociata dhe eventualisht për ta implementuar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila krijon baza juridike të marrëdhënieve të BE-së me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor dhe paraqet hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit”.

Mëtutje, ai ka shfaqur shpresën se Komisioni Evropian “do të jetë në gjendje të paraqes hartën rrugore të liberalizimit të vizave, më vonë këtë pranverë”.

Sipas zotit Fyle, Bashkimi Evropian së shpejti do ta paraqes propozimin – kornizë për pjesëmarrjen e Kosovës në programet evropiane.

Nikollaj Vamen, ministër i çështjeve evropiane i Danimarkës, e cila e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, ka theksuar se është e nevojshme që në Kosovë të realizohet reforma e administratës publike dhe të realizohet sundimi i ligjit.

“Të gjithë pajtohemi se e ardhmja e Kosovës është në BE”, tha Vamen.

Nesër në Parlamentin Evropian do të votohet për raportin e raportueses Urlike Lunaçek dhe nëse ai miratohet, atëherë do të shndërrohet në Rezolutë.
XS
SM
MD
LG