Ndërlidhjet

Reformat në favor të biznesit


Ilustrim
Ilustrim

Ndryshimi i reformave ekonomike nga autoritetet kompetente për përmirësim të ambientit biznesor në Kosovë ka qenë i domosdoshëm, edhe pse për këtë çështje nevojiten edhe përmirësime të tjera, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Kohë më parë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, më qëllim të lehtësimit të procedurave të te bërit biznes, ka vendosur që të eliminohet leja e punës për të filluar një biznes, regjistrimi i biznesit të bëhet pa pagesë, kërkesa për kapital është eliminuar apo reduktuar, dhe mbrojtja e investitorëve është më e lartë.

Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest”, thekson për Radion Evropa e Lirë, se viteve të fundit Kosova është kritikuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, për një ambient të pafavorshëm të të bërit biznes.

Kështu që, sipas tij, këto reforma kanë qenë të domosdoshme.
Në bazë të raporteve të Bankës Botërore dhe rangimit që ka pasur aty, reformat biznesore janë domosdoshmëri për përmirësim të këtij rangimi.
Në bazë të raporteve të Bankës Botërore dhe rangimit që ka pasur aty, reformat biznesore janë domosdoshmëri për përmirësim të këtij rangimi. Por, jo domosdoshmërish, reformimet në mundësinë e të bërit biznes, do të thonë që bizneset kanë mundësi në zhvillim dhe krijim të vendeve të reja të punës, meqenëse, zhvillimi ekonomik është shumë më kompleks dhe kërkon qasje më komplekse. Megjithatë, reformat e tilla janë parakusht për të pasur një ambient të barabartë dhe të drejtë”, shprehet Abdixhiku.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për vitin 2012, të quajtur “Të bërit biznes në Evropën Lindore”, Kosova është radhitur në vendin e 117, pa asnjë ndryshim nga viti 2011.

Aty ku Kosova duhet të përkushtohet më shumë, sipas raportit, është përmirësimi në nisjen e një biznesi, pasi në këtë aspekt radhitet në vendin e 168, si dhe në mbrojtjen e investitorëve, pasi në këtë fushë renditet e 174-ta.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thekson se masat e fundit të vendosura nga autoritetet kompetente, mundësojnë uljen e kostos së regjistrimit dhe shkurtimin e kohës për të regjistruar biznese të reja.

Me këto masa, Bektashi shpreson se do të rritet edhe interesimi i investitorëve ndërkombëtarë.

Deri më tani, për shkak të burokracisë në disa komuna, kompanitë e huaja kanë hezituar që të fillojnë operimin e bizneseve të tyre në Kosovë. Nënkuptohet se shumë shtete të rajonit, këto masa i kanë marrë shumë vite më parë, dhe disa nga to, për shembull, Maqedonia, ka pasur sukses në tërheqjen e firmave apo investitorëve të huaj, në shtetin e tyre”, thotë Bektashi.
Një ambient i drejtë, i favorshëm dhe i barabartë krijohet vetëm nëpërmes luftimit të anomalive, si korrupsioni, informaliteti, evazioni fiskal dhe politikat e rënda fiskale që i ka Kosova.
Krahas këtyre reformave, Kosovës i nevojitet edhe krijimi i një ambienti biznesor më i favorshëm, i drejtë dhe i barabartë për iniciativën private, thotë Lumir Abdixhiku,

Një ambient i drejtë, i favorshëm dhe i barabartë krijohet vetëm nëpërmes luftimit të anomalive, si korrupsioni, informaliteti, evazioni fiskal dhe politikat e rënda fiskale që i ka Kosova. Pra, po them se reformat janë të domosdoshme, janë të mira”.

Le të shpresojmë se në rangimin e ardhshëm, Kosova do të marrë notë të mirë, dhe nga pozita e tanishme të kalojë më përpara, pasi kemi një rangim shumë të rëndë. Megjithatë, reformat ekonomike të mirëfillta kërkojnë qasje shumë dimensionale në fushat që i përmenda në fillim”, bën të ditur Abdixhiku.

Sipas autoriteteve qeveritare, reformat për lehtësimin e ambientit për biznes në Kosovë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG