Ndërlidhjet

PE hedh poshtë fusnotën


Flamujt e vendeve të BE-së para Parlamentit Evropian...
Flamujt e vendeve të BE-së para Parlamentit Evropian...
Parlamenti Evropian ka refuzuar të enjten kërkesën e disa deputetëve të këtij parlamenti, që në dokumentet e Parlamentit Evropian, Kosova të referohet me fusnotë, siç ishin marrë vesh Beogradi dhe Prishtina për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Ky propozim është hedhur poshtë në votimin e së enjtes në seancën plenare të Parlamentit Evropian, ku është miratuar rezoluta për Kosovën.

Rezoluta edhe një herë u bën thirrje pesë vendeve të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Raporti i raportueses për Kosovën, Ulrike Lunaçek, tashmë është shndërruar në formë të rezolutës të Parlamentit evropian dhe ajo përmban disa tema kushtuar Kosovës dhe rrugës së integrimeve evropiane të saj.

Ka kaluar edhe amendamenti, i cili i bën ftesë komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të mundësojë pjesëmarrjen e atletëve kosovarë në Lojërat Olimpike në Londër këtë vit.

Po ashtu, ky raport është edhe kritik ndaj Kosovës edhe në disa fusha. Kërkon që sa më parë merren masa ndaj përgjegjësve për mashtrimet në procesin zgjedhor; kërkon që Kosova të bëjë më shumë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Raporti i miratuar të enjten, me shumicë të madhe votash të deputetëve të Parlamentit Evropian, kërkon nga Komisioni Evropian që sa më shpejt t’i dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe që procesi për Kosovën të jetë i ngjashëm me atë që ka qenë për vendet tjera të rajonit të Ballkanit.

Pos për Kosovën, të enjten është miratuar edhe rezoluta për Serbinë. Edhe nga Serbia, sikurse është edhe në raportin për Kosovën, është kërkuar që të përmbahet nga zhvillimi i zgjedhjeve në Kosovë, pra i zgjedhjeve lokale, duke thënë se një gjë e tillë është në kundërshtim me rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Është përshëndetur marrëveshja në dialog ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por është kërkuar që të ketë implementim të plotë të të gjitha marrëveshjeve që janë arritur.

Deputetët e Parlamentit Evropian me rezolutat që kanë miratuar në seancën plenare të së enjtes, kanë mbështetur rrugën evropiane të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë.

Parlamenti Evropian kështu vazhdon të jetë i vetmi institucion i Bashkimit Evropian, i cili vazhdon ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe i referohet asaj si Republika e Kosovës, pa përmendur asnjë fusnotë apo ndonjë gjë tjetër krahas emërtimit të Kosovës.

Parlamenti Evropian, po ashtu kërkon nga Komisioni Evropian që të mos vonohet me studimin e fizibilitetit për Kosovën.

Lexoni edhe këtë:
Lunaçek: Serbia të përmbahet nga zgjedhjet lokale
XS
SM
MD
LG