Ndërlidhjet

Mekanizmat e drejtësisë, të cilët të mërkurën u vunë në qendër të kritikave për mosefikasitet, nga Agjencia Kundër Korrupsionit, i janë kundërpërgjigjur këtij institucioni, duke thënë se janë në proces të shqyrtimit të një numri të konsiderueshëm të lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin.

Në të njëjtën kohë, ata kritikuan agjencinë për nivel të dobët të mbledhjes së informatave për rastet e dyshuara të korrupsionit.

Koordinatorja Kombëtare Kundër Korrupsionit, njëherësh prokurore e Qarkut në Prishtinë, Drita Hajdari, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se hetimet për procedimin e lëndëve të zyrtarëve të dyshuar se janë të përfshirë në afera korrupsioni, janë duke vazhduar.

“Është me rëndësi që këto lëndë po procedohen, po ashtu këto lëndë po kryhen, megjithëse nuk është aspak i vogël numri i aktakuzave, të cilat janë ngritur. Për shembull, janë ngritur 107 aktakuza, 107 propozim-akuza që bëjnë 214 akte akuzuese për një vit”, bëri të ditur prokurorja Hajdari.



Një ditë më parë, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, kishte potencuar se që nga viti 2007 e deri më tash në prokuroritë vendore dhe ndërkombëtare, janë dorëzuar 240 kallëzime penale me përfshirjen e rreth 700 zyrtarëve.

“Prej të gjitha këtyre rasteve nga informacionet kthyese që kemi nga prokuroritë kemi 6 arrestime, 76 hetime penale, 12 propozim-akuza, 66 lëndë janë hedhur poshtë, dhe për 80 raste nuk ka informacione kthyese”, kishte deklaruar Preteni.

Por, prokurorja Hajdari theksoi se drejtuesit e Agjencisë Kundër Korrupsion, do të duhej të jepnin përgjigje edhe për atë se, pse hidhen poshtë kallëzimet e tyre.

“Unë, së paku, nuk kam pasur një lëndë ku kam mundur direkt ta ngre aktakuzën në bazë të kallëzimit penal të agjencisë. Gjithmonë më është dashur të kërkoj informata plotësuese, informata shtesë nga Policia e Kosovës edhe pasi që i kam pranuar ato informata, prapëseprapë e kam hedhur kallëzimin penal. Ne e marrim vendimin e arsyetuar se për çka po hidhet poshtë kallëzimi penal. Preteni këtë e di shumë mirë, mirëpo nuk i konvenon të dalë me ato informata, por del me informata sa kallëzime penale i ka dërguar”, theksoi Hajdari.

Prokurorja Hajdari i konsideroi të pasakta edhe deklaratat e drejtorit të AKK-së, Preteni, për humbjet që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit nga ato kallëzime penale.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë (Foto arkiv)

Gjykata e Qarkut në Prishtinë (Foto arkiv)

“Në 99 për qind të lëndëve në kallëzimet penale të agjencisë unë nuk e kam pasur shumën, për të cilën dyshohet dikush. Dhe, për mua ka qenë një befasi kur e pashë në media që ai po del me shuma milionëshe (euro), për të cilat dyshohen. Në kallëzimet penale nuk ekzistojnë ato shënime. Merreni me mend se çfarë dëmi është duke i shkaktuar ai sistemit të drejtësisë me deklaratë të tilla”, u shpreh Hajdari duke shtuar se dëmi ose niveli i humbjeve të buxhetit mund të vërtetohet gjatë hetimeve.

Preteni kishte thënë se nga rastet e dyshuara për korrupsion, buxheti i Kosovës konsiderohet se ka humbur mbi 10 milionë euro.

Kurse, nga Gjykata Supreme e Kosovës, bëhet e ditur se deri më tash në këtë institucion nuk është gjykuar asnjë rast që ka pasur të bëjë me korrupsion. Makfire Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate, për Radion Evropa e Lirë tha:

“Në Gjykatën Supreme të Kosovës nuk ka pasur asnjë rast që është gjykuar apo që do të gjykohet për korrupsion, që ka ardhur nga Agjencia Kundër Korrupsion. Ne kemi kapacitete profesionale që të merremi me çështjet që kanë të bëjnë me korrupsion, nëse ato vijnë në gjykatën tonë, por deri më tani nuk kemi pasur raste të tilla”.

Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave joqeveritare, që kanë synim luftën kundër korrupsionit, tashmë sa herë kanë deklaruar se ky fenomen vazhdon të jetë në nivel të lartë në shumë institucione shtetërore dhe private, e sidomos në zyrat e prokurimit të institucioneve qeveritare dhe lokale.

Ata, po ashtu, kanë thënë se tashmë është koha e fundit që korrupsioni të luftohet me vepra konkrete, e jo vetëm me fjalë. Deri më tash, sipas tyre, janë duke munguar rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG