Ndërlidhjet

logo-print
Qeveria e Kosovës akuzoi Serbinë për shkelje të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me arrestimin e së mërkurës të dy shtetasve kosovarë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ndërsa e quajti “kryekëput politik” veprimin e policisë serbe.

Këshilltari politik në ministrinë e brendshme të Kosovës, Fisnik Rexhepi, i tha Radios Evropa e Lirë se veprimi i autoriteteve serbe nuk ka qenë i befasishëm ngase edhe një herë, sipas tij, është dëshmuar qasja anti-evropiane e Serbisë.

Rexhepi theksoi nevojën për një reagim të Brukselit zyrtar për këtë çështje.

Ky arrestim është kryekëput politik; është në kundërshtim me marrëveshjen dhe ne presim që të ketë reagim edhe nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësues të procesit dhe si ndërmjetësues të kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Rexhepi.

Një ditë më parë, autoritetet serbe të rendit arrestuan Hasan Abazin, kryetarin e sindikatës së industrialistëve të Kosovës dhe Adem Murselin, nën dyshimet për “spiunazh dhe tregti me drogë”, bazuar në fletarrestet e “gjykatës së qarkut në Gjilan” dhe drejtorisë së policisë serbe në Beograd.

Ndërsa, të martën, në pikëkalimin Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës kishte arrestuar katër serbë, nën dyshimet se kanë shkelur rendin juridik të Kosovës.

Te të arrestuarit, në mesin e të cilëve janë edhe punonjës të strukturave paralele serbe në Viti, autoritetet e rendit kishin gjetur material zgjedhor të Serbisë.

Arrestimi ishte bërë rrjedhimisht për, siç thuhet, parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës.

Rexhepi tha se duhet bërë dallim në mes të veprimeve ligjore dhe atyre politike.

Pra, këtu qëndron dallimi në mes të veprimeve ligjore të Policisë së Kosovës dhe veprimeve politike dhe anti-evropiane të shtetit serb”, theksoi ai.

Këtë e hodhi poshtë ministri i brendshëm serb, Ivica Daçiq, duke paralajmëruar arrestimin e “kujtdo që rrezikon rendin kushtetues të Serbisë në periudhën e ardhshme...derisa nuk lirohen serbët e arrestuar në Kosovë”.

"Paramendoni sa njerëz në Kosovë rrënojnë rendin kushtetues të Serbi, sepse pjesëmarrja në institucionet e atjeshme, të cilat Beogradi nuk i pranon, është shkelje e rendit tonë juridik. Sa janë të atillë që do të mund të gjendeshin në shënjestër të policisë sonë kur kalojnë Serbinë qendrore”, tha Daçiq.

Deklaratat e ministrit Daçiq, sipas partisë opozitare në Kosovë, Vetëvendosje flasin qasjen antishqiptare dhe anti-evropiane të Serbisë, ndërsa vënë në pah mbijetesën e politikës millosheviqiane.

Në një takim me gazetarët, anëtarët e partisë, Shpend Ahmeti dhe Glauk Konjufca, thanë se arrestimi i Abazit dhe Murselit është kryer me akuza të sajuara dhe fletarreste të gjykatave ilegale.

Serbia po e trajton Kosovën sikur të ishte gjendje lufte. Serbët me dokumentacion zgjedhor të arrestuar nga Policia e Kosovës i konsideron si robër lufte, kurse shqiptarët e ekstraduar dhe të arrestuar dje i trajton po ashtu si robër lufte të cilët dëshiron t’i shkëmbejë tani me serbët e arrestuar”, u shpreh Shpend Ahmeti.

Duke përmendur qindra fletarrestimet që shteti serb ka lëshuar për qytetarët e Kosovës deri më tani, Vetëvendosje kërkoi ndërprerjen e dialogut me palën serbe deri në momentin kur kjo e fundit ndërron qasjen ndaj Kosovës.

Ky dialog pritet të vazhdojë, megjithatë, pas zgjedhjeve të Serbisë dhe formimin e qeverisë së re në Beograd.
XS
SM
MD
LG