Ndërlidhjet

Server: Budalla e më budalla


Flamuri i Serbisë dhe i Kosovës

Flamuri i Serbisë dhe i Kosovës


Shkruan: Daniel Server, "Johns Hopkins University" në Uashington


Ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, paralajmëroi dje arrestimin e dy shqiptarëve të Kosovës si reagim ndaj arrestimit të katër serbëve nga autoritetet kosovare:

Nuk me duhet të theksoj se arrestimet “me reciprocitet” ose si “shpagim” nuk zënë vend në fjalorin e sundimit të ligjit. Nuk më duhet as të përmend se veprimet në kundërshtim me interesat e shtetit tënd janë budallalëqe.

Me vetëm këtë veprim arrogant, Daçiq duket se ka bërë më shumë se ndokush tjetër në muajt e fundit për t’i nxirë kredencialet evropiane të Serbisë.

Problemi është edhe më i thellë. Arrestimet ishin bërë bazuar në një fletarrest të lëshuar nga një gjykatë serbe, një që nuk ekziston më në Kosovë. Kjo dëshmon se sa i ulët është respektimi i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga ana e Beogradit, të cilën ky i fundit e përdor vazhdimisht dhe gabimisht si bazë për pretendimet e sovranitetit serb mbi Kosovën.

Kjo rezolutë, nëse nuk ka bërë asgjë, e ka vënë Kosovën - përfshirë sistemin e saj gjyqësor, nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara, në pritje të një vendimi final për statusin e saj. Serbia nuk pranon propozimin se është marrë tashmë vendimi për këtë çështje - gjë që është e drejtë e saj. Mirëpo, nën rezolutën 1244 ajo nuk ka të drejtë ta administrojë ligjin në Kosovë.

Pra, nuk po flasim për kokrra fasuleje këtu. Ndikimi i arrestimeve do të jetë më i gjerë se sa vetëm tek dy personat e arrestuar. Ai do të shkurtojë udhëtimet e shqiptarëve të Kosovës në Serbi, të cilat pritej t’i inkurajonte marrëveshja e fundit për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Prishtinës e Beogradit.

Daçiq nuk është i pamend. Ai e di shumë mirë se veprimi i fundit do t’i sjellë votat e nacionalistëve, ndërsa do ta vë në siklet presidentin Tadiq, i cili është përpjekur t’i mbajë të gjalla kredencialet evropiane të Serbisë në kohën kur po synon ta bind Brukselin që t’ia japë Serbisë datën për nisjen e negociatave për anëtarësim.

Tadiqi do ta ketë të vështirë t’ia shpjegojë Brukselit që të mos marrë parasysh kthimin prapa të Serbisë kur ajo po zhbën një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja.

E çka për arrestimet e katër serbëve nga autoritetet në Prishtinë? Sipas mediave, ata po bartnin material zgjedhor për zgjedhjet serbe të 6 majit, të cilat Beogradi dëshiron t’i mbajë edhe në Kosovë - gjë që Prishtina synon të parandalojë.

Kam një simpati për kosovarët që duan të vendosin sovranitetin e plotë në të gjithë territorin e Kosovës, por më duhet ende të parashtroj pyetjen se përse ishte e nevojshme të arrestohen katër serbë? Sigurisht se janë duke u zhvilluar shumë veprime edhe më të liga se sa bartja e materialit zgjedhor.

Supozoj se përgjigja është se do të jetë një veprim politik me interes për kryeministrin Hashim Thaçi, i cili po ballafaqohet me një presion të shtuar të nacionalistëve shqiptarë me kërkesën për ndalimin e veprimeve të Serbisë brenda Kosovës.

Mirëpo, ai pritet ta vizitojë gjithashtu Uashingtonin javën e ardhshme, ku sipas të gjitha gjasave nuk do të mirëpritet një veprim provokues siç janë arrestimet.
Unë do ta quaja këtë: budalla e më budalla (Dumb and Dumber). Ua lë juve të vendosni se kush është kush.(e.p.)


Ky koment është botuar në portalin peacefare.net, që për synim ka arritjen e paqes përmes mirëkuptimit. Versionin në anglisht mund ta lexoni këtu http://www.peacefare.net/

Trego komentet

XS
SM
MD
LG