Ndërlidhjet

Çeku: Kosova t’i bashkohet Kartës së Adriatikut


Konferenca e ministrave të Mbrotjes të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, mbajtur në Shkup.
Konferenca e ministrave të Mbrotjes të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, mbajtur në Shkup.



Me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Kartës së Adriatikut, sekretarit të përgjithshëm të Mbrojtjes së SHBA-së edhe një herë i konfirmohet politika e dyerve të hapura të Aleancës për vendet e Evropës juglindore, ishte konstatim i konferencës së mbajtur në Shkup me titull "Sfida të përbashkëta dhe zgjidhje të bashkuara",

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin politikën e dyerve të hapura për institucionet euro-atlantike, njëherësh përshëndesin përpjekjet e vazhdueshme të Evropës juglindore mbi parimet e këtilla të bashkëpunimit në funksion të stabilitetit të Ballkanit perëndimor dhe më gjerë. Njëherësh u bëjmë thirrje që të gjitha vendet e rajonit të marrin pjesë në takimin e ardhshëm”, deklaroi Selest Valldener, zëvendësja e sekretarit amerikan të Mbrojtjes së SHBA-së.

Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, tha se respektimi i aktvendimit të së drejtës ndërkombëtare dhe më në fund, siç tha, edhe i marrëveshjes kohore, “imponon në Çikago të rianalizohet konstatimi i Bukureshtit”.

"Për fat të keq, si edhe shumë herë deri më tani është konstatuar, formalisht edhe nëse jo edhe esencialisht, dëshira jonë është e penguar - kjo për shkak të një kontesti të imponuar dhe absurd - kontest në të cilin ballafaqohemi me kushtëzim dhe ultimatum përkatës", tha Ivanov.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Fatmir Besimi, tha se konferenca, e cila ka karakter gjithëpërfshirës, dëshmon për angazhimin serioz të vendeve Evropës juglindore për paqe.

”Kjo konferencë në nivel ministrash paraqet vazhdim të procesit midis vendeve të Grupit të Adriatikut dhe vendeve vëzhguese të vendosura si mekanizëm përkatës për promovimin e dialogut rajonal, zhvillimin e bashkëpunimit mbrojtës dhe përforcimin e kapaciteteve kombëtare në drejtim të integrimeve euro-atlantike të mbarë rajonit”, tha Besimi.

Ndërkaq, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, i cili në këtë konferencë ka marrë pjesë në cilësinë e vendeve vëzhguese për promovimin e dialogut rajonal, tha se pjesëmarrja Kosovës për herë të tretë në nivelin e ministrave në takimin e grupit të kartës së Adriatikut, paraqet një hap të rëndësishëm për procesin e integrimit të vendit të tij.

“Kjo paraqet një dëshmi se Kosova po e zë vendin e vet në rajon dhe është e barabartë me vendet tjera të rajonit, kur diskutohet për çështje të rëndësishme siç është stabiliteti dhe siguria, si dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë”, u shpreh Çeku,.

Ministri Çeku njëherësh shprehu keqardhje për mospjesëmarrjen e Serbisë në këtë konferencë, pavarësisht marrëveshjes së arritur në kuadër të dialogut teknik.

”Më vjen keq që Serbia nuk pati guxim për të marrë pjesë. Nuk mund të konsiderohet asnjë takim dhe asnjë konferencë si sukses nëse nuk jemi prezent të gjithë, nëse të gjitha vendet e rajonit nuk pajtohen me një gjë të tillë. Ne këtu jemi të përfaqësuar në mënyrë të barabartë ashtu si të gjitha vendet tjera, si të gjithë ministrat tjerë dhe kemi prezent dhe dy vende të tjera, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, siç është Bosnja e Hercegovina dhe Greqia”.

“Këto dy vende nuk patën asnjë vërejtje për përfaqësimin dhe prezencën tonë, si në nivelin e përfaqësimit, ashtu dhe mënyrën e përfaqësimit që kishim këtu”,
theksoi Çeku duke bërë të ditur se të enjten zyrtarisht ka kërkuar përfshirjen e Kosovës në Kartën e Adriatikut, gjatë takimeve bilaterale me përfaqësuesit e ministrive të Mbrojtjes të vendeve të rajonit, SHBA-së dhe NATO-s:

“Me ta biseduam si për bashkëpunimin rajonal, po në radhë të parë për bashkëpunimin bilateral, si dhe bashkëpunimin tonë në rrugën drejt NATO-s dhe përmbushjes së kritereve që dalin nga anëtarësimi në strukturat veri-atlantike” .

Duke komentuar mundësinë e ndryshimit të kufijve në rajon, ministri Agim Çeku, tha se “arkitektura e Ballkanit është e përfunduar”.

”Mund të them se nuk ka ndryshim të kufijve. Mendoj se ekziston një konsensus mes vendeve të rajonit dhe popujve që të mos ketë ndryshim të kufijve, ngase ndryshimi i kufijve nuk do të na çojë askund vetëm se do të hapet një kuti e Pandorës që nuk do të na shpie askund”, shtoi Çeku, duke theksuar se rruga e vetme për perspektivën e vendeve të rajonit është angazhimi i të gjitha vendeve për t’u anëtarësuar në strukturat Euro-atlantike.

Ndryshe, në konferencë kanë marrë pjesë ministrat e Mbrojtjes të vendeve të SHBA-së, Kartës së Adriatikut, dhe vendeve mbikëqyrëse, përfaqësues të SHBA-së dhe NATO-s, ekspertë të Qendrës së Gjenevës për Politikë të Sigurisë, diplomatë, hetues dhe ekspertë nga kjo sferë, përfaqësues të organizatave joqeveritare, Ekipi Këshillëdhënës i NATO-s në Maqedoni, përfaqësues të Buz Alen Hamilltonit, Komisioni për Mbrojtje të Kuvendit në Republikën e Maqedonisë etj.

Serbia nuk i është përgjigjur ftesës pa dhënë detaje për arsyet që kanë penguar të përfaqësohet në këtë konferencë.
XS
SM
MD
LG