Ndërlidhjet

Dell: Marrëveshja forcon partneritetin SHBA-Kosovë


Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell
Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell
Nënshkrimi i marrëveshjes së parë bilaterale mes qeverive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës nga ana e presidentes Atifete Jahjaga dhe ambasadori amerikan Kristofer Dell, nga ky i fundit është vlerësuar si një e arritur e rëndësishme në partneritetin mes dy qeverive.

“Gjersa SHBA-të dhe Kosova kanë qenë partnerë të fuqishëm me vite, ky dokument vendos themelet e një vizioni më të gjerë strategjik për të drejtuar bashkëpunimin për programe ekonomike dhe teknike, dhe i qaset fushave specifike të agjendës sonë bilaterale të ndihmës”, ka thënë përmes një deklarate dërguar mediave, ambasadori amerikan.

“Në praktikë, kjo do të thotë se ne do të zhvillojmë bashkëpunimin tonë në programet e drejtësisë; avancim të zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja; ruajtje të diversitetit të Kosovës dhe trashëgimisë së saj kulturore; dhe mbështetje për angazhimin e shoqërisë civile në zhvillimin e komunitetit. Shtetet e Bashkuara ripërtërisin premtimin e vet për të qëndruar pranë qeverisë, sektorit privat dhe partnerëve nga shoqëria civile, në mënyrë që të arrijmë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë të fuqishme, demokratike, dhe ekonomikisht vitale, si pjesë e familjes transatlantike”, thuhet në deklaratë.

“Ne premtojmë se do të punojmë së bashku për të ndërtuar institucionet që kontribuojnë për zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen demokratike të Kosovës, dhe për sundimin e ligjit për të siguruar një të ardhme prosperuese për të gjitha komunitetet diverse të Kosovës”, ka potencuar ambasadori amerikan, I cili ka përgëzuar qeverinë e Kosovës se ka “demonstruar përkushtimin e saj për të përmirësuar cilësinë e jetës të të gjithë qytetarëve”.

“Kosova ka nevojë për udhëheqës proaktivë me vizion të fuqishëm për të ardhmen, mjetet për të shtyer këtë shtet përpara, dhe ndihmën për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët për një demokraci të fortë dhe multietnike të integruar me pjesën tjetër të Evropës. Sot, dy shtete tona kanë riafirmuar përkushtimin tonë ndaj këtyre qëllimeve”, ka thënë ambasadori amerikan, Kristofer Dell.
XS
SM
MD
LG