Ndërlidhjet

BE-ja dhe ICO-ja mirëpresin Ligjin për RTK-në

  • RFE /RL

RTK

RTK


Ligjvënësit e Kosovës miratuan në lexim të dytë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës.

Deputetët miratuan një nga një amendamentet e propozuara, duke përfshirë edhe propozimin e Grupit Parlamentar 6 plus, pa përkrahjen e Komisionit funksional, i cili parasheh hapjen e kanalit të tretë për pakicat jo serbe.

Siç njoftojnë mediat vendëse, deputetët votuan për propozimin e Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, sipas të cilit buxheti i RTK-së do të jetë 0.7 për qind e buxhetit të shtetit. Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj tha se arsye ka qenë respektimi i ligjit të buxhetit.

Ndërkohë, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Piter Feith, përgëzoi Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për përpjekjet e tyre këmbëngulëse dhe konstruktive për ta vendosur RTK-në mbi një bazë solide ligjore me pavarësi editoriale dhe financiare dhe për t’i ofruar komunitetit serb të Kosovës një kanal televiziv në gjuhën e tyre.

“Ligji për RTK-në përfshin dispozita për transmetimin për minoritetet, të cilat i përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare dhe do të sjellin përfitime reale për qytetarët serbë dhe qytetarët e tjerë jo-shumicë në Kosovë. Unë dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për të gjitha partitë dhe palët me interes, vendore dhe ndërkombëtare, të cilat u përfshinë në proces. Partitë politike që përfaqësojnë komunitetet shumicë dhe jo-shumicë kanë treguar, që të gjitha, kurajën politike përmes gatishmërisë së tyre për kompromis, duke forcuar në këtë mënyrë kulturën demokratike në Kosovë”, tha përmes një deklarate për media, Piter Feith.

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një njoftimi për media, e mirëpriti miratimin, së fundmi, të Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës dhe Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

“Këto ligje ofrojnë një bazë të mirë ligjore që siguron funksionimin e këtyre dy institucioneve të pavarura të cilat do t’i shërbejnë interesit publik të Kosovës, pa u prekur nga ndikimet politike dhe në përputhje me praktikat më të mira të BE-së”, thuhet në njoftim.

“Ligji për RTK-në, i mundëson transmetuesit publik të mbrojë pavarësinë editoriale si dhe përgjegjësinë publike, e që njëkohësisht parasheh një zgjidhje të qëndrueshme të financimit”, thuhet në njoftim.

“Ligji mbi KPM-në, garanton që ky organ rregullativ do të jetë në gjendje të ushtrojë kompetencat e tij, promovimin e standardeve etike dhe teknike te mediat transmetuese të Kosovës, në përputhje me standardet e BE-së për profesionalizëm dhe paanësi gjatë raportimit. Gjithashtu, ligji ruan edhe pavarësinë e nevojshme të KPM-së, me gjithë evoluimin e mandatit të tij”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Evropian.

“Kuvendi ka përfituar asistencë përmbajtjesore nga BE-ja, jo vetëm për t’u siguruar që këto dy ligje janë në përputhje me standardet e BE-së, por edhe praktikat më të mira në këtë drejtim. Është me rëndësi kritike që këto ligje të implementohen, dhe me këtë rast i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës të angazhohet drejt nisjes së procesit për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur të Mediave”, thuhet në deklaratë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG