Ndërlidhjet

Marrëveshje që forcon partneritetin


Atifete Jahjaga dhe Kristofer Dell, Prishtinë 29 mars 2012.

Atifete Jahjaga dhe Kristofer Dell, Prishtinë 29 mars 2012.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kristofer Dell, në një ceremoni të organizuar në Kabinetin e Presidentes së Kosovës, kanë nënshkruar të enjten, Marrëveshjen e parë gjithëpërfshirëse Bilaterale ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.

Marrëveshja përfshin bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja, ruajtjen e diversitetit të Kosovës dhe trashëgimisë së saj kulturore, si dhe mbështetjen për angazhimin e shoqërisë civile në zhvillimin e komunitetit.

“Marrëveshja Bilaterale i jep edhe një shtysë të mëtejme partneritet të fuqishëm mes Kosovës dhe SHBA, të zhvilluar një kohë të gjatë. Ajo i hap rrugën një bashkëpunimi më të theksuar strategjik në fushën e ekonomisë dhe përfshin fusha specifike”, thuhet në njoftimin për media të lëshuar nga kabineti i presidentes Jahjaga.

Ndërsa, ambasadori amerikan Kristofer Dell, e ka vlerësuar si një të arritur të rëndësishme në partneritetin mes dy qeverive marrëveshjen e nënshkruar.

“Derisa SHBA-ja dhe Kosova kanë qenë partnerë të fuqishëm me vite, ky dokument vendos themelet e një vizioni më të gjerë strategjik për të drejtuar bashkëpunimin për programe ekonomike dhe teknike, dhe i qaset fushave specifike të agjendës sonë bilaterale të ndihmës”, ka thënë përmes një deklarate dërguar mediave, ambasadori amerikan Dell.

“Në praktikë, kjo do të thotë se ne do të zhvillojmë bashkëpunimin tonë në programet e drejtësisë; avancim të zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja; ruajtje të diversitetit të Kosovës dhe trashëgimisë së saj kulturore; dhe mbështetje për angazhimin e shoqërisë civile në zhvillimin e komunitetit. Shtetet e Bashkuara ripërtërijnë premtimin e vet për të qëndruar pranë qeverisë, sektorit privat dhe partnerëve nga shoqëria civile, në mënyrë që të arrijmë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë të fuqishme, demokratike, dhe ekonomikisht vitale, si pjesë e familjes transatlantike”, thuhet në deklaratë.

“Ne premtojmë se do të punojmë së bashku për të ndërtuar institucionet që kontribuojnë për zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen demokratike të Kosovës, dhe për sundimin e ligjit për të siguruar një të ardhme prosperuese për të gjitha komunitetet diverse të Kosovës”, ka potencuar ambasadori amerikan, i cili përgëzoi Qeverinë e Kosovës se ka “demonstruar përkushtimin e saj për të përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve”.

“Kosova ka nevojë për udhëheqës proaktivë me vizion të fuqishëm për të ardhmen, mjetet për të shtyrë këtë shtet përpara, dhe ndihmën për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët për një demokraci të fortë dhe multietnike të integruar me pjesën tjetër të Evropës. Sot, dy shtete tona kanë riafirmuar përkushtimin tonë ndaj këtyre qëllimeve”, ka thënë ambasadori amerikan, Kristofer Dell.

Ndërsa, përmes një komunikate për media, presidentja Jahjaga është shprehur se ”Republika e Kosovës ka mirëpritur në vazhdimësi ndihmën e SHBA-ve në të gjitha fushat e jetës dhe bashkëpunimin me SHBA e sheh me interes jetik në realizimin e qëllimeve të ndërtimit të një shteti funksional, me synimin për integrimin sa më të shpejtë në të gjitha nismat rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe anëtarësimin sa më të shpejtë në institucionet euro-atlantike”.(a.i.)
XS
SM
MD
LG