Ndërlidhjet

Lunaçek: Dialogu politik për veriun, i nevojshëm


Veri...

Veri...


Serbia duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Prishtinën, në të kundërtën nuk do ta marrë datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE, tha në një konferencë për media në Prishtinë, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek.

Ashtu siç ishte kushtëzuar marrja e statusit të kandidatit për Serbinë, sipas saj, mund të pritet një kushtëzim tjetër rreth nisjes së bisedimeve për anëtarësim.

Serbia dhe kushdo që fiton zgjedhjet e radhës në Serbi, kushdo që formon qeverinë, shpresoj të paktën që do të dëshirojnë ta vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ata që e duan këtë duhet të zbatojnë, përndryshe nuk do të ketë një derë për anëtarësim. Kjo do të mund të zgjasë me vite nëse ata nuk zbatojnë. E këtu, BE-ja ka një ndikim”, u shpreh ajo.

Në ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës, sipas eurodeputetes, do të luajë rol të rëndësishëm edhe procesi i ardhshëm zgjedhor më 6 maj.

Lunaçek u bëri thirrje autoriteteve serbe që, siç tha ajo, për të mirën e së ardhmes evropiane të Serbisë, të heqin dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës dhe të zhbëjnë strukturat e tyre paralele sidomos në veri të vendit.

Raportuesja për Kosovën në legjislativin evropian theksoi nevojën për veprime konkrete në veri të vendit në mënyrë që problemi rreth asaj pjese të mos shndërrohet në konflikt të ngrirë. Lidhur me këtë, Lunaçek foli për nevojën e nisjes së një dialogu tjetër politik, të cilin megjithatë, do ta ndërmjetësonte sërish Bashkimi Evropian.

Janë dy opsione për këtë: njëri do të zhvillohej vetëm ndërmjet qytetarët e Kosovës që do të thotë se do të zhvillohej ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri. Unë do ta preferoja këtë. Nëse kjo nuk është e mundshme, do të ishte e arsyeshme edhe një përfshirje e Beogradit, por të shohim se çfarë do të jetë qeveria e ardhshme”, tha ajo.

Rëndësinë për zgjidhjen e problemit të veriut, e kishte theksuar ditë më parë, edhe komisionari për zgjerim i BE-së Shtefan Fyle duke kërkuar hartimin e një agjende gjithëpërfshirëse për veriun.

Gjatë qëndrimit të fundit në Prishtinë, Fyle solli me vete lajmin për nisjen e studimit të fizibilitetit për Kosovën për t’ia hapur rrugën vendit për nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim-asociim.

Lunaçek shprehu bindjen se një studim i tillë do të mund të jetë gati deri në vjeshtën e këtij viti, por tha se nuk mund të pritet më shumë deri në ndërrimin e presidencës evropiane, të cilën aktualisht e udhëheq Qiproja si shtet që nuk e njeh Kosovën.
E pyetur nëse pesëshja evropiane do t’i shkaktonte telashe Prishtinës zyrtare rreth nënshkrimit të marrëveshjes për stabilizim-asoccim, ajo u shpreh:

Atë që e dëgjoj nga të cilado prej pesëshes, përveç Qipros, është se ato nuk do të ishin më radikale se vet serbët prej momentit kur të arrihet një marrëveshje fondamentale ndërmjet Kosovës e Serbisë. Andaj, është vërtetë e rëndësishme që të ketë rezultate të dialogut të 24 shkurtit dhe sukses në një dialog tjetër”, theksoi Lunaçek.

Gjatë fjalimit të saj para gazetarëve, Lunaçek, megjithatë përmendi një varg çështjesh të tjera të cilat autoritetet kosovare duhet t’i adresojnë në aspektin e brendshëm, siç janë zbatimi i reformave në gjykata, administratën publike apo përmirësimi i funksionimit të institucioneve të drejtësisë apo medieve.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG