Ndërlidhjet

Lustrimi ka humbur kuptimin


Shkup
Shkup
Pas shfuqizimit të 12 neneve të ligjit për lustrim dhe akuzave nga më të ndryshmet mes partive politike mbi këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, ekspertët për çështje juridike dhe iniciuesit e këtij procesi, thonë se lustrimi në Maqedoni tashmë ka humbur kuptimin.

Madje, Osman Kadriu thotë se partitë duhet të iniciojnë një propozim-ligj për anulimin e gjithë procesit të lustrimit.

Parlamenti, i cili ka sjellë këtë ligj duhet sa më shpejt jo të ndryshojë dhe të plotësojë ligjin, apo të sjellë ligj të ri, por duhet të miratojë një vendim tjetër për të hequr këtë ligj nga fuqia dhe të mos ketë lustrim në Maqedoni, meqë është shumë e qartë tendenca e një pjese të madhe të faktorëve relevantë të cilët nuk duan që në Maqedoni të ketë lustrim”, thotë Osman Kadriu.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e fundit, abrogoi 12 nene të ligjit të miratuar në vitin 2008.

Tani, sipas këtij vendimi, lustrimi nuk do të përfshijë ish funksionarët e periudhës së pas sistemit komunist, gazetarët, klerikët, shoqatat joqeveritare, partitë politike dhe kategoritë tjera, por vetëm ish të zgjedhurit e sistemit të kaluar, pra periudhën deri në nëntor të vitit 1991, kur edhe u miratua Kushtetuta e parë në Maqedoninë postkomuniste.

Stojan Andov, iniciues i procesit të lustrimit, thotë se qëllimi i këtij ligji nuk ishte që ne të futen thellë dhe të kërkojnë edhe bashkëpunëtorin e fundit të shërbimeve të ndryshme sekrete, por, të pamundësojnë që në funksionet publike të infiltrohen bashkëpunëtorë te shërbimeve.

Andov thotë se ajo që tani po ndodhë shumë pak ka të bëjë me lustrimin.

Për ne ishte me rëndësi që shohim përpara dhe në funksionet publike të mos përfshihen bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete, pra, në mesin e atyre që duhet të zgjidhen në funksione të mos ketë njerëz të tillë. Ne nuk kemi menduar se do të shkojmë aq prapa, kemi vlerësuar se ligji jonë duhet të shërbej si instrument për demokratizimin e shoqërisë, e jo të hakmerremi apo ku e di çka tjetër të bëjmë”, thotë ai.

Ndërkohë, duke komentuar vendosmërinë e garniturës aktuale qeverisëse se këtë proces do ta çojë deri në fund përmes miratimit të një ligji krejt të ri, që do të përfshijë bartësit e posteve publike, ekspertët thotë se kjo është kundër kushtetuese.

Është rregull se ku gjykata miraton një qëndrim për një vendim, për atë çështje nuk mundet që e njëjta rregullativë të parashikohet me ndryshimet dhe plotësimet e ligjit në fjalë. Sidoqoftë, mendoj se ky ligj do të sjellë shumë përçarje te dy blloqet politike, edhe shqiptare edhe maqedonase, pasi veprimet që i ndërmerr shteti janë në kundërthënie me atë se çfarë kërkojmë dhe çka duam të arrijmë, meqë nga njëra anë kërkojmë lustrim, dhe nga ana tjetër në çdo mënyrë pengohet procesi i lustrimit ”, thotë Osman Kasdriu.

Ndërkohë, Stojan Andov, nuk beson se Kuvendi do të miratojë vendime që bien ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo deri më tani nuk është praktikuar në Maqedoni.

Megjithatë, duke parë zhvillimet politike, Andov nuk përjashton mundësinë që kësaj radhe të ndodhë e kundërta, pasi në maj skadon mandati i tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe vendet e tyre sipas të gjitha gjasave do t’i zënë kuadro të afërta me partitë në pushtet, dhe kjo domosdoshmërish ndikon edhe në vendimet që merr Gjykata Kushtetuese.
XS
SM
MD
LG