Ndërlidhjet

BE: Arrestimet, pasoja negative për dialogun

  • RFE /RL

BE

BE

Arrestimet e qytetarëve kosovarë në Serbi, por edhe të atyre serbë në Kosovë, kanë nxitur reagimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Sipas tyre, zhvillimet e tilla mund të kenë pasoja negative për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Zemërimi më i madh i tyre, megjithatë, thuhet të jetë me autoritetet e Serbisë, për sjelljen e të cilave dyshojnë se ka të bëjë me fushatën zgjedhore në shtetin serb.

Ndërmjetësi i BE-së në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper, u ka bërë thirrje të dyja palëve që t’u përmbahen obligimeve që kanë marrë në dialog.

Marrëveshjet duhet të zbatohen. U bëjmë ftesë të gjitha palëve që të veprojnë me përgjegjësi. Mendojmë se problemet politike duhet të zgjidhen me dialog dhe negociata dhe jo me përdorim selektiv të ligjit”, ka thënë Kuper.

Policia e Kosovës, të martën në mbrëmje, ka arrestuar katër pjesëtarë të komunitetit serb, në mesin e tyre kryetari ilegal i Vitisë, pasi në automjetin e tyre është gjetur material zgjedhor i Serbisë.

Ndalimet kanë pasuar arrestimin e dy shtetasve kosovarë nga ana e autoriteteve serbe te Dheu i Bardhë, nën dyshimet për “spiunazh dhe tregti me drogë”, bazuar në fletarrestimet e, siç thuhet, Gjykatës së Qarkut në Gjilan dhe drejtorisë së policisë serbe në Beograd.


AI e shqetësuar me “arrestimin politik” të Abazit


Organizata Amnesty International (AI) është shprehur “thellësisht e shqetësuar, me arrestimin, siç duket, politik të sindikalistit kosovar, Hasan Abazi, nga ana e autoriteteve serbe”.

Abazi ishte në rrugë për një konferencë ndërkombëtare në Kroaci, kur është kapur në Konçul të Bujanocit, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar në vitin 1995, për, siç thuhet, “krime kundër kushtetutës dhe sigurisë së Republikës së Serbisë”.

Amnesty International është jashtëzakonisht e shqetësuar me deklaratat e ministrit serb të Mbrojtjes, Ivica Daçiq, se arrestimi është kryer “në shenjë hakmarrjeje” ndaj arrestimeve që u ka bërë policia kosovare katër zyrtarëve serbë të Kosovës, të cilët bartnin material zgjedhor të Serbisë, thuhet në komunikatën e AI-së.

Organizata thirret në raportet e mediave, të cilat citojnë ministrin Daçiq të ketë thënë se “policia serbe nuk e ka dëshiruar një qasje të tillë, porse situata duket qartë se nuk mund të shkojë tutje pa hakmarrje”.

“Nëse dikush do të konkurrojë me arrestime, ne kemi përgjigje”, citon AI Daçiqin.

“Në bazë të këtyre deklaratave, Amnesty International thekson se liria individuale e njerëzve nuk mund të vihet në rrezik si një mjet pazarllëku në mosmarrëveshjet politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Xhon Dalhuisen, drejtor i Programit për Evropën dhe Azinë Qendrore pranë AI-së.

Sipas djalit të Hasan Abazit, Hakiut, babait të tij nuk i është lejuar të takojë avokatin.

Amnesty International rikujton autoritetet serbe se, në bazë të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, secili që arrestohet për vepra penale ka të drejtë të zgjedhë avokatin.

Kur Haki Abazi ka vizituar burgun e Vranjës, ku po qëndron babai i tij pas transferimit nga stacioni policor i Bujanocit, atij nuk i është dhënë asnjë informacion në lidhje me arrestimin e të atit ose çfarë do të ndodhë me të, thotë AI.

Po sipas kësaj organizate, Haki Abazit i është thënë vetëm se mund t’i sjellë ushqim babait sot dhe rroba të pastra të shtunën.

Sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë në Vranjë, rasti mbetet çështje e policisë. Ai ka thënë se dokumenti i vitit 1995, në bazë të të cilit është arrestuar Hasan Abazi, nuk është më valid.

Arrestimi vjen pak kohë pasi Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për lëvizje të lirë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ajo ka hyrë në fuqi në dhjetor të 2011-ës dhe ka qenë një nga parakushtet e Serbisë për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.(v.t.)
XS
SM
MD
LG