Ndërlidhjet

logo-print

MTI: Prodhimet me "UNMIK/Kosovë", do të konfiskohen


Produktet serbe me mbishkrimin UNMIK/Kosovë / Distributor Buçaj SHPK

Produktet serbe me mbishkrimin UNMIK/Kosovë / Distributor Buçaj SHPK


Autoritetet kompetente dhe përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, raportojnë se kompani serbe që importojnë disa produkte në Kosovë, në dokumentet komerciale dhe në ambalazhin e atyre produkteve shënimi për vendin e destinacionit dhe përfaqësimit bëhet me UNMIK/Kosovë.

Naim Hurunglica, drejtor në Doganat e Kosovës, tregon se në dokumentet zyrtare respektohet marrëveshja për Vulat Doganore që është arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, në shtator të vitit të kaluar në Bruksel.

Ndërsa, në dokumentet e ashtuquajtura komerciale dhe në ambalazhet e produkteve, Huruglica thotë se Dogana e Kosovës ka vërejtur që disa kompani importuese serbe, vendosnin mbishkrimin UNMIK/Kosovë.

Naim Huruglica

Naim Huruglica

Nuk kemi të bëjmë me institucionet e Serbisë apo të Kosovës në zbatimin e marrëveshjes, por kemi të bëjmë me raportet në mes të firmës eksportuese, e cila në dokumentet e veta që i lëshon për nevojat e kompanisë importuese të Kosovës, në disa raste ka përdorur akronimin UNMIK/Kosovë”, bëri të ditur Huruglica.

Sido që të jetë, përfaqësues të subjekteve ekonomike në vend vlerësojnë se importi i produkteve, të cilat përmbajnë këtë mbishkrim, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se kompanitë serbe kanë gjetur partnerë të mjaftueshëm kosovarë për të pranuar produkte të tilla. Në tregun vendor, sipas Shahinit, tashmë ekzistojnë disa produkte ushqimore, medicinale, por edhe prodhime që përdoren për veshmbathje me mbishkrimin “UNMIK/Kosovë”.

“Bizneset e Kosovës duhet të vetëdijesohen që të mos përkulen para partnerëve, nga cilido shtet që janë, që për përfitime personale, t’ia humbin vlerën dhe emërtimin shtetit të Kosovës”, thekson Shahini.

Për këtë çështje, ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK). Me anë të një komunikate për media, Oda Ekonomike e Kosovës apelon te të gjithë përfaqësuesit kosovarë të kompanive serbe që importojnë produkte nga Serbia, të mos pranojnë veprime të tilla të kundërligjshme.

“Praktika të tilla janë kundër interesave të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe kundër promovimit të vlerave të shtetësisë kosovare në këto momente mjaft sfiduese, me të cilat po ballafaqohet vendi ynë”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Në dyqane në Kosovë, ekzistojnë prodhime të ndryshme të Serbisë, që në paketimet e tyre është i vendosur akronimi UNMIK/Kosovë.

Produkt serb me mbishkrimin Kosovo/UNMIK / Distributor ElkosGroup

Produkt serb me mbishkrimin Kosovo/UNMIK / Distributor ElkosGroup

Një ndër prodhimet është lloji i biskotave Plazma, prodhuar në Serbi. Distributor ekskluziv për, siç shkruhet në ambalazh “UNMIK/Kosovë", është “Elkos-Group” Pejë, ndërsa për produktin tjetër ushqimor, të quajtur Smoki, distributor për UNMIK/Kosovë, është “Buçaj SHPK”, Prishtinë.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Ramiz Kelmendi, pronar i ndërmarrjes “ELKOS ” tha se nuk ka njohuri se në paketimet e produkteve të importuara nga kompania e tij, figuron mbishkrimi UNMIK/Kosovë.

“Nuk e besoj se ekziston ajo punë - nuk e di, nuk kam njohuri”, thotë Kelmendi.

Në fotografinë e produktit, shihet mbishkrimi.

Ndërsa, me pronarin e kompanisë “Buçaj”, nuk arritëm të kontaktonim.

Lidhur me përdorimin e këtij mbishkrimi në ambalazhet e produkteve të importuara serbe është e njoftuar edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Mimoza Kusari- Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, këtë çështje e quan provokim të panevojshëm nga ana e kompanive serbe. Ajo thotë se importi i produkteve më mbishkrimin UNMIK/Kosovë është i papranueshëm dhe në kundërshtim me mekanizmat ligjorë në vend.

Për këtë çështje, thotë ajo, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, tashmë ka dërguar një letër te të gjitha subjektet ekonomike në vend, në mënyrë që t’i paralajmërojnë kompanitë anëtare të tyre, që veprimet e tilla janë të kundërligjshme.

Në anën tjetër Kusari- Lila, thekson se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i parandaluar këto praktika të importit.
Në javën e dytë të muajit prill, inspektorati i tregut në rast se gjen produkte të tilla me mbishkrimin Kosovo/UNMIK, në dyqanet me pakicë dhe shumicë, do t'i konfiskojë.

“Ne i kemi dhënë afat që deri në muajin prill të ndryshohet ky mbishkrim. Në javën e dytë të muajit prill, inspektorati i tregut në rast se gjen produkte të tilla me mbishkrimin Kosovo/UNMIK, në dyqanet me pakicë dhe shumicë, do të konfiskohen”.

“Kjo për arsye se mbishkrimi i tillë është në kundërshtim edhe me Udhëzimin dhe Ligjin për Paketim dhe Etiketim, por gjithashtu edhe në kuadër të subjektivitetit kjo është një çështje që po ngre një provokim që nuk është i nevojshëm”
, theksoi Kusari-Lila.

Qeveria e Kosovës, më 20 korrik, ka vendosur masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që janë ndërprerë më 16 shtator, pasi që Kosova dhe Serbia janë marrë vesh në Bruksel për tregtinë e lirë dhe njohjen reciproke të vulave doganore.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG