Ndërlidhjet

Peticion për statut jo-diskriminues në QKUK


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Statuti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si akti më i lartë juridik, ka pësuar disa herë ndryshime. Por, këtë herë, me ndryshimin e tij, në fillim të këtij viti, me një peticion, kanë reaguar specialistë nga lëmi të ndryshme brenda QKUK-së, duke mbledhur 178 nënshkrime, për mos-ndryshimin e një neni brenda statutit.

Ky reagim, sipas tyre, ka ardhur për arsye se këto ndryshime po bëhen për interesa të individëve të caktuar.

Haxhi Avdyli, neuro-kirurg, është një nga iniciuesit e këtij peticioni. Ai jep më shumë hollësi, rreth kësaj çështjeje:

“Statuti, i cili është ndërruar në fillim të këtij viti, nga Ministria e Shëndetësisë, parashihte që të drejtë konkurrimi për pozita menaxheriale kishin të gjithë specialistët nga lëmi përkatëse me tituj shkencor, pa përcaktuar llojin e titullit. Ndërsa, tani, me ndërrimin e statutit, po pretendohet që për pozita menaxheriale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe avancime të tjera në kuadër të klinikave, doemos duhet ta kenë titullin e profesorit, e që ky nen apriori përjashton një grup të madh të mjekëve nga avancimet e tyre, dhe krijon privilegje të një grupi të vogël, duke bërë diskriminim dhe duke shuar garën në kuadër të ekspertëve për një pozitë menaxheriale”.

Në anën tjetër, sindikalistët e Qendrës Klinike Universitare, mendojnë se edhe nëse bëhen ndërrime në statut, të mos favorizohet një grup i caktuar, e grupi tjetër i stafit të përjashtohet, gjë e cila, sipas tyre edhe po ndodh. Kryetar i sindikatës së QKUK-së, Xhemajl Selmani, shpjegon:

“Ne konsiderojmë se statuti duhet të bëhet ashtu siç i ka hije një dokumenti zyrtar, me të cilin do t’i nënshtrohej punës secili nga ne. Por, jo të favorizohet një grup, e tjetri grup të disfavorizohet. Ne, luftën po e bëjmë për ngritjen e cilësisë së shërbimeve, dhe për ngritjen e mirëqenies edhe të punëtorëve shëndetësorë, e në këtë kuadër, edhe të këtij shërbimi. Ne jemi kundër formave të ndërhyrjes që janë bërë deri sot dhe e kanë degraduar atë statut deri në atë nivel, sa që të bien në kundërshtim neni me nen brenda statutit”.

E, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tashmë ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se në mënyrë kategorike e përjashton çfarëdo mundësie që kjo është bërë për interesa individuale. Ai ka thënë së bëhet fjalë vetëm për lehtësimin e funksionimit e QKUK-së, kur ky institucion po kalon prej një sistemi anakronik shëndetësor, në një sistem bashkëkohor. Dhe, ndryshimet, sipas tij, janë të domosdoshme.

Për pozita menaxheriale të klinikave brenda QKUK-së, Avdyli vlerëson se me ndërrimin e statutit, kanë të drejtë vetëm profesorët e Fakultetit të Mjekësisë. Por, sipas tij, kjo është e pakuptimtë dhe jo efektive, për shkak se përveç punës së tyre në fakultet, e që është një punë e madhe, ta kenë edhe barrën e menaxhimit të klinikës përkatëse, të stafit. Avdyli konsideron se kjo krijon një ngarkesë për ta.

“Normalisht, kur krijohen nene diskriminuese, atëherë krijohet një garë që vetëm një grup i vogël, kryesisht profesorët që janë punëtorë të Fakultetit të Mjekësisë, përfitojnë. Andaj, ne, si një grup i madh specialistësh në QKUK, kemi marrë iniciativë që ta kundërshtojmë këtë nen dhe kemi mbledhur 178 specialistë nga lëmi të ndryshme që kanë kërkuar të lihet neni paraprak. Ky nen do ta linte të hapur garën duke fituar më së miri, vlerat akademike, puna e tyre, gjithmonë në të mirë të pacientit”, shprehet Avdyli.

Konkursi i anuluar një ditë pas zgjedhjes së drejtorëve të klinikave, është bërë me arsyetimin e mospërfilljes së nenit të 23.5 të statutit të QKUK-së, dhe mos-respektimin në përpikëri të dispozitave ligjore në fuqi. Si rrjedhojë, ka filluar edhe inicimi i ndryshimit të statutit, që, sipas profesionistëve shëndetësorë, është bërë për grupe të caktuara të interesit.

Shumë mjekë specialistë, të cilët nuk kanë të drejtë të konkurrojnë për pozita menaxheriale, janë në studime post-diplomike doktoratura, por që nuk janë të pranuar në staf akademik, andaj edhe po eliminohen nga gara për menaxherë klinikash.
XS
SM
MD
LG