Ndërlidhjet

Lirohen serbët e arrestuar në Gjilan


Logo e Policisë së Kosovës

Logo e Policisë së Kosovës

Gjykata e Lartë e Kosovës ka pranuar ankesat e avokatëve të të pesë serbëve të arrestuar më 25 shkurt në rajonin e Gjilanit dhe ka lëshuar në liri pesë personat në fjalë, raportojnë mediat serbe.

Po sipas tyre, trupi gjykues që ka marrë vendimin, është përbërë nga gjykatësi i EULEX-it, Françesko Florit, dhe dy gjykatës të Kosovës, Marije Ademi dhe Salih Toplica.

Avokati i njërit prej të arrestuarve serbë, Miodrag Bërklaç, ka deklaruar për agjencinë Beta se masa e paraburgimit është zëvendësuar me paraqitje në stacionin policor.

“Vendimi ka arritur këtë mëngjes në njësitet e paraburgimit në Gjilan dhe Prishtinë. Mlladen Dimitrijeviq dhe Zllatko Demiq, të cilët kanë qenë në paraburgim në Gjilan, kanë arritur tashmë në shtëpi, ndërsa tre të tjerët, që kanë qenë në Prishtinë, janë rrugës për në shtëpi”, ka thënë Bërklaç.

Ai nuk ka dhënë detaje për procedurat e mëtejshme kundër pesë serbëve të dyshuar për shkeljen e sistemit ligjor të Kosovës, duke thënë vetëm se “ata do të mbrohen në liri”.

Të arrestuarit janë Zllatko Deniq dhe Goran Matropazoviq nga Pasjani, Nikolla Trajkoviq nga Parteshi dhe Dragan Stojkoviq nga Budriga, të cilët kanë punuar për dhënien e pasaportave serbe në të ashtuquajturën drejtori policore të Gjilanit me seli në Vranjë. Me ta ishte edhe ofiqari Mlladen Dimitrijeviq nga Pasjani.

Të arrestuarve, më 25 shkurt, u ishte caktuar paraburgimi prej 30 ditësh. Pas skadimit të këtij afati, ata u dënuan edhe me një muaj burg.
XS
SM
MD
LG