Ndërlidhjet

Serbia arreston dy policë kosovarë


Ilustrim
Ilustrim
Pjesëtarët e xhandarmërisë serbe kanë arrestuar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës në rajonin e Merdares, të cilët “kanë bartur dy pushkë automatikë, dy pistoleta dhe pajisje speciale për matjen e largësisë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, raportojnë mediat serbe.

Të arrestuar janë Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Pallatin e Serbisë.

Daçiq ka thënë se armët që kanë poseduar dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës paraqesin “shkelje drastike të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999”. Ai i ka thënë se “secili që shkel këtë marrëveshje, do të privohet nga liria”.

“Nuk bën kështu me Serbinë. Kjo ka tejkaluar çdo masë”, ka thënë Daçiq.

Ndaj ngjarjes së të shtunës ka reaguar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar lirimin e policëve.

"Arrestimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në detyrë, është sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës. Arrestimet e shpeshtuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Republikës së Serbisë, nuk kontribuojnë në vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve", thuhet në reagimin e presidentes.

Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje institucionit homolog në Serbi që menjëherë dhe pa kushte të bëjë lirimin e policëve kosovarë.

"Ky është një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë, është në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt cenon rëndë raportet në mes të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë", thuhet në deklaratën e ekzekutivit kosovar.

Përmes së njëjtës, "Qeveria u ka bërë ftesë të gjitha institucioneve ndërkombëtare, para së gjithash Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, për të ndikuar te Beogradi zyrtar, për t'i ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme".


MPB: Serbia kidnapoi dy policët kosovarë

Ministria e Brendshme e Kosovës ka dënuar ashpër “kidnapimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e Xhandarmërisë Serbe”.

“Pjesëtaret e Policisë së Kosovës, në momentin e kidnapimit, kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre”, thuhet në deklaratën që ka publikuar MPB-ja kosovare në ueb-faqen e saj zyrtare.

Sipas së njëjtës, ky veprim tinëzar dhe i organizuar i xhandarmërisë serbe dëshmon edhe një herë orientimin dhe mentalitetin agresor të shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës.

“Përpjekjet e shtetit serb për agresion ndaj Republikës së Kosovës, përmes veprimeve të tilla, të nxitura nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, i cili me plot fanatizëm po dëshmohet si trashëgimtar i politikës agresore të Millosheviqit, kanë dështuar historikisht dhe do të dështojnë edhe tani”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga EULEX-i dhe mekanizmat tjerë relevantë të Bashkimit Evropian të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.


VV: Serbia larg imazhit paqedashës

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj arrestimit të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana autoriteteve serbe të rendit.

Aktet e Serbisë janë larg imazhit paqedashës që po përpiqen t’ia veshin këtij vendi. Sot, të jesh fqinj i Serbisë të bën po aq të rrezikuar sa përpara një shekulli. Sot, të udhëtosh në Serbi, nëse je shqiptar, të bën objektiv të masave policore. Sot, Serbia guxon të arrestojë edhe njerëz të veshur me uniformë, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të këtij vendi që jo më larg se para 12 vjetësh u përgjak e u dhunua prej të njëjtëve policë e ushtarakë serbë, me të cilët mburret Beogradi”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në vend se të kërkojë falje për krimet e luftës, për gjenocidin e për shkatërrimin human e material, i cili ende e pengon cilëndo perspektivë të zhvillimit në Kosovë, Serbia vijon të sillet me arrogancën e sunduesit”, thotë pos tjerash Lëvizja Vetëvendosje.

Ky subjekt opozitar nuk ka lënë pa kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës, duke thënë se kjo e fundit, me dialog me Serbinë, “ka dashur ta bindë popullin e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare se Serbia ka ndryshuar nga vitet e nëntëdhjeta”.

Ndalimet e së shtunës pasojnë ato të disa ditëve më parë, kur policia serbe ka arrestuar dy shtetas të Kosovës në vendkalimin Dheu i Bardhë, nën dyshimet për “spiunazh dhe tregti me drogë”, bazuar në fletarrestimet e, siç thuhet, Gjykatës së Qarkut në Gjilan dhe drejtorisë së policisë serbe në Beograd.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, pas arrestimit të katër pjesëtareve të komunitet serb nga ana e Policisë së Kosovës, për shkak të bartjes së materialit zgjedhor të Serbisë, ka deklaruar se vendi i tij do të “hakmerret për arrestimet”.

Deklaratat e tij kanë nxitur reagimin e autoriteteve dhe organizatave ndërkombëtare. (v.t.)
XS
SM
MD
LG