Ndërlidhjet

MPB: Serbia kidnapoi dy policët kosovarë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Ministria e Brendshme e Kosovës ka dënuar ashpër "kidnapimin e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës nga ana e Xhandarmërisë Serbe".

“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në momentin e kidnapimit, kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre”, thuhet në deklaratën që ka publikuar MPB-ja kosovare në ueb-faqen e saj zyrtare.

Sipas së njëjtës, ky veprim tinzar dhe i organizuar i Xhandarmërisë serbe dëshmon edhe një herë orientimin dhe mentalitetin agresor të shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës.

“Përpjekjet e shtetit serb për agresion ndaj Republikës së Kosovës, përmes veprimeve të tilla, të nxitura nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, i cili me plot fanatizëm po dëshmohet si trashëgimtar i politikës agresore të Millosheviqit, kanë dështuar historikisht dhe do të dështojnë edhe tani”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga EULEX-i dhe mekanizmat tjerë relevantë të Bashkimit Evropian të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e xhandarmërisë serbe kanë arrestuar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës në rajonin e Merdares të shtunën paradite.
XS
SM
MD
LG