Ndërlidhjet

"Miqtë e Sirisë" njohin Këshillin Kombëtar Sirian


Protestues kundër regjimit të Bashar al-Asadit...
Protestues kundër regjimit të Bashar al-Asadit...
“Miqtë e Sirisë” në takimin në Stamboll, thanë se e njohin Këshillin Kombëtar Sirian, si përfaqësues legjitim të të gjithë sirianëve.

Në një deklaratë përfundimtare, të takimit njëditor, thuhet se dritarja për presidentin sirian Bashar al-Asad për të zbatuar përkushtimet, për të cilat është pajtuan nën planin e OKB-së dhe Ligës Arabe për paqen, nuk mund të lihet hapur përgjithmonë.

Në deklaratë i bëhet thirrje të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan, që të caktojë afat kohor për hapat e ardhshëm, përfshirë, kohën e kthimit në Këshillin e Sigurimit.

Përfaqësues nga më shumë se 60 vende të Perëndimit dhe të vendeve arabe, morën pjesë në takimin në Stamboll, për t’i bërë presion Damaskut, që t’i japë fund aksionit njëvjeçar kundër opozitës.

Rusia, Kina dhe Irani nuk morën pjesë.

Gjatë konferencës, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, u kërkoi pjesëtarëve të Qeverisë së Asadit, që t’i ndërpresin operacionet që kanë në shënjestër civilët, ose do të përballen me “pasoja serioze”.

Klinton tha se SHBA-ja po i ofron pajisje komunikimi opozitës siriane dhe kërkon nga opozita që të zhvillojë një “plan politik të veprimit”.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe Kreu i Këshillit opozitar Sirian Kombëtar, Burhan Galiun.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe Kreu i Këshillit opozitar Sirian Kombëtar, Burhan Galiun.
“Është bërë përparim i madh për të bërë bashkë komunitetin ndërkombëtar. Besoj se po e shihni këtu, se po ndërmerren hapa konkretë. Kjo bëhet për nder dhe në kujtim të sakrificës së atyre që luftuan dhe vdiqën për lirinë, që është diçka për të cilën SHBA shpreh respektin e thellë. Por, ende mbetet shumë punë për t’u bërë. Por, besoj se nga njoftimet që dalin nga ky takim, do të ketë presion më të madh ndaj regjimit, dhe do të ketë ndihmë më të madhe për Këshillin Kombëtar Sirian. Do të ketë ndihmë më të madhe humanitare, në mënyrë që populli brenda Sirisë ta marrë vesh se nuk është braktisur”, tha Klinton.

Më herët, kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta mbështesë të drejtën e Sirisë për t’u “vetëmbrojtur”.

Ai tha në hapje të konferencës se nëse “Këshilli i Sigurimit i OKB-së përmbahet nga ndërmarrja e përgjegjësisë, komuniteti ndërkombëtar nuk ka rrugë tjetër, pos të pranojë të drejtën e sirianëve për t’u vetëmbrojtur”.

Përfaqësues nga më shumë se 60 shtete perëndimore dhe arabe nisën bisedimet në Stamboll për t’i bërë presion Damaskut që të pranojë planin e OKB-së dhe të Ligës Arabe për paqen në Siri.

Kreu i Këshillit opozitar Sirian Kombëtar, Burhan Galiun, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar armatosjen e kryengritësve. Ai tha, para takimit në Stamboll, se populli sirian pret një “qëndrim të guximshëm” nga takimi.

Galiun, po ashtu, theksoi se nuk pret që Qeveria siriane e Bashar al-Asadit të përmbushë marrëveshjet për të zbatuar planin e paqes së Ananit.

“Ne mirëpresim planin e Ananit, siç e kemi mirëpritur edhe planin e Ligës Arabe. Megjithatë, nuk ka dyshim. Regjimi i Asadit nuk do ta zbatojë planin, sikurse nuk e ka zbatuar edhe më parë”, tha Galiuni.

Plani i Ligës Arabe dhe i OKB-së bën thirrje për t’i dhënë luftimeve, bisedimeve në mes të qeverisë dhe opozitës dhe qasjen për agjencitë ndërkombëtare.

Konferenca “Miqtë e Sirisë” vjen në kohën kur Damasku ka shpallur fitoren ndaj opozitës, por ka thënë se nuk do të tërheqë tanket dhe trupat nga qytetet derisa jeta t’i kthehet normalitetit.

Ndërkaq, OKB-ja thotë se më shumë se 9 mijë njerëz janë vrarë nga aksionet qeveritare në kryengritjen që nisi një vit më parë me protestat pro-demokracisë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG