Ndërlidhjet

logo-print

Cërvenkovski: Asnjë shans për anëtarësim në NATO


 Branko Cërvenkovski

Branko Cërvenkovski


Lideri i Lidhjes Social-Demokrate të opozitës, Branko Cërvenkovski, thotë se Maqedonia nuk ka as gjasa minimale që të arrijë të marrë ftesë për anëtarësim në NATO në samitin e aleancës, që do të mbahet gjatë muajit maj në Çikago.

Për këtë situatë, Cërvenkovski akuzon pushtetin aktual, i cili, sipas tij, me veprimet e deritashme ka dëshmuar se prioritet i saj nuk është integrimi i vendit në strukturat euroatlantike.

“Nëse i përcjellim informacionet në opinion, pasi vetëm ato i kemi, pastaj deklaratat e zyrtarëve të NATO-s, të sekretarit të përgjithshëm Rasmusen, pastaj ato të përfaqësuesve të Uashingtonit zyrtar, të zotit Filip Riker dhe të ambasadorit Pol Uolers, por dhe deklarata tjera, mund të konkludohet se hapësirë për optimizëm nuk ka”, deklaron Cërvenkovski.

Ai i quan kontraverse paralajmërimet e Qeverisë, e cila, sipas tij, në njërën anë tenton që të relativizojë samitin e NATO-s dhe pritjet e qytetarëve, kurse në anën tjetër paralajmëron ofensivë diplomatike duke shfrytëzuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si argument kyç. Por, edhe këtu, Qeveria, sipas kreut të LSDM-së, ka dështuar nëse merren parasysh vendet në të cilat kanë qëndruar drejtuesit e saj.

Pra, e gjithë kjo, sipas Cërvenkovskit, është edhe një dëshmi se për këtë pushtet NATO-ja nuk është prioritet. Cërvenkovski konsideron se, përgjegjësi për këtë mban edhe BDI-ja, e cila, në vazhdimësi para elektoratit të saj deklarohet se prioritet ka integrimin euroatlantike, e që në fakt është e kundërta.

Por, i pyetur se çfarë ofron LSDM-ja për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar të emrit me Greqinë, ai thotë:

“LSDM-ja është parti opozitare dhe ne nuk kemi as edhe një informacion për rrjedhën e negociatave, se kush çka ka propozuar. Dhe, jo vetëm ne, por askush jashtë rrethit të ngushtë të atyre që po udhëheqin negociatat, nuk do të mund të ofrojë zgjidhje konkrete pasi kjo do të ishte tërësisht e papërgjegjshme, jo serioze dhe madje do të thosha e dëmshme për interesat e shtetit. Është e vërtetë se ne mbështesim idenë për referendum që qytetarët të vendosin për zgjidhjen që mund të arrihet. Por, ne edhe këtu dallojmë nga pushteti se jemi të sinqertë dhe kërkojnë zgjidhje pasi integrimi mbetet prioritet për ne, e jo sikur pushteti. i cili edhe çështjen e referendumit tenton ta shfrytëzoj për të mos pasur zgjidhje”.

Gjatë kësaj periudhe të veprimit të saj opozitar, LSDM-ja ka ndryshuar edhe retorikën e saj. Për dallim nga e kaluara, paraqitjet e kësaj partie vlerësohen si radikale nga qarqe të ndryshme analistike, në veçanti kur kjo ka të bëjë me raportet ndëretnike.

LSDM-ja së fundi ka kundërshtuar të gjitha projektligjet e Qeverisë përfshirë dhe atë që ka të bëjë me festimin zyrtar të 100-vjetorit të flamurit shqiptar, ndërsa më parë edhe mbylljen e rasteve të Hagës, akt ky që ishte përshëndetur edhe nga faktori ndërkombëtar. Duke folur për këtë qëndrim të LSDM-së, Cërvenkovski thekson:

“Nuk bëhet fjalë për ndryshim të kursit të veprimit të LSDM-së, por ne kemi prezantuar qëndrimet tona, varësisht se për çka bëhet fjalë. Ne mbetemi në qëndrimin se amnisti për krimet e luftës nuk mund dhe nuk guxon të ketë. Pra, rastet e tilla duhet të kenë epilog gjyqësor pasi atë që e bëri kjo qeveri është në kundërshtim edhe me parimet ndërkombëtare”.

Lideri i LSDM-së, paralajmëron edhe unifikimin e opozitës për të parandaluar, siç shprehet ai, politikat katastrofale të Qeverisë aktuale. Ai thotë se tani është momenti që kjo të ndodhë, ndërsa nuk përjashton mundësinë që bllokut opozitar t’i bashkëngjiten edhe partitë politike shqiptare në opozitë.
XS
SM
MD
LG