Ndërlidhjet

Tiranë: Paradë kundër homofobisë


Ilustrim
Ilustrim
Paralajmërimi i komunitetit LGBT në Shqipëri (lesbike, gej, biseksualë dhe transeksualë ), ose minoritet seksuale, për një manifestim në Tiranë, në Ditën ndërkombëtare kundër Homofobisë, ngjalli jo pak reagime pro dhe kundër.

Kjo, edhe për faktin se shoqëria shqiptare do të përballet për herë të parë me një shfaqje publike të këtij komuniteti. Qëndrimet kundër, edhe kur kanë ardhur në formën e një “kërcënimi”, nuk duket të kenë ndryshuar asgjë prej objektivit për të manifestuar.

Këtë e thotë një aktivist i lëvizjes, pranë “Ambasadës Pink”, e krijuar si një instrument për adresimin siç duhet të problemeve të këtij komuniteti. Për të ruajtur privatësinë e tij, e quajmë Altin.

“Manifestimi nuk do të ndryshojë nga plani origjinal, pavarësisht gjërave që mund të kenë ndodhur. Ajo që ne do të kërkojmë pikërisht në këtë ditë, është një respekt ndaj të drejtave të njeriut dhe një respekt ndaj personave LGBT, të cilët nuk janë aspak të ndryshëm nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ky grup social nuk ka përse të alienizohet. Shoqëritë demokratike, shoqëritë e lira kanë hapësirë për të gjithë”, thotë aktivisti i quajtur Altini.

Por, a është e përgatitur shoqëria shqiptare, për këtë manifestim publik?

Izela Tahsini, lektore në Departamentin e Politikave Sociale dhe të Punës Sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale, thotë se herët a vonë, shoqëria shqiptare do të përballej me këtë realitet.

”Është momenti që shoqëria shqiptare të përballet me frikët e veta lidhur me këtë çështje. Mënyra e vetme për t’u përballur me to është të mos i mohosh. Kështu që të jesh gati, do të thotë të kesh një nivel ndërgjegjësimi lidhur me çështjen. Niveli i ndërgjegjësimit nuk arrihet ndryshe përveçse duke folur për të dhe duke bërë gjithçka që është e dukshme lidhur me të. Një event i tillë është pjesë e kësaj”, shprehet Tahsini.

Të rinjtë ndajnë qëndrime të ndryshme jo vetëm për manifestimin, por dhe mbi atë çfarë do të ndodhë pas kësaj - një lloj zyrtarizimi i këtij komuniteti në shoqëri.


Për dhe kundër

Nuk i duroj dot, ik aman më lër rehat me gjithë ta. Jemi të gjithë të një mendimi”, thotë një i ri.

“ Thjesht, mua s’më pëlqejnë”.

“Në fund të fundit ajo është e drejta e tyre, le të bëjnë çfarë të duan”.

“Unë jam dakord me manifestimin, e vetmja gjë tek e cila nguroj, është se në Shqipëri nuk ka arritur akoma ajo formë mentaliteti aq e hapur që homoseksualët të dalin të gjithë. Kam përshtypjen që do të dalin vetëm ata që e kanë pranuar publikisht, që në Shqipëri të them të drejtën janë të paktë”.

“Mendoj se është e drejtë e tyre të dalin në këtë manifestim, pavarësisht se Shqipëria nuk ka arritur atë shkallë zhvillimi në mentalitet. Ka ardhur momenti që dhe shqiptarët ta pranojnë duke qenë se pretendojmë të futemi dhe në Bashkimin Evropian. Nuk mund të futemi pa i pranuar dhe homoseksualët”.


“Në Shqipëri s’kanë për t’u pranuar kurrë! Mentaliteti është i tillë”.

Kurse, te të moshuarit diskutimi i temës, është më asnjanës.

“Nuk e di, të lutem, për mua të bëjnë çfarë të duan, jo paradë!”, shprehet një i moshuar.

“Jemi pleq tani ...”, shprehet tjetri duke qeshur.

Për Shqipërinë nuk është në rregullt, kështu që nuk jemi dakord!”, thotë prerazi ky i moshuar, derisa tjetri këtë ia lë shtetit:

“Si është në ligjet e shtetit, të zbatohet! Normal është! Derisa po thërret bota!".

Por, pavarësisht panoramës paragjykuese, përmasat e së cilës nuk dihen me saktësi, më 17 maj do të manifestohet në shesh. Për Altinin, ka pak rëndësi nëse pjesëmarrja e komunitetit LGBT do të jetë apo jo masive.

“T’i thuash nënës, babait, motrës apo vëllait, ti ke bërë një hap. Pra, nuk është e thënë që ti të vish në shesh për të konfirmuar që ti po bën diçka për jetën tënde, në radhë të parë, dhe pastaj për këtë lëvizje ose për këtë komponentë të qenies njerëzore, që do të fillojë të manifestojë në shoqëri e të marrë një formë dhe të integrohet. Ne kemi bërë në plan të bëjmë një manifestim që është e drejtë, pastaj se si do ta gjykojë shoqëria, do të shihet”, thekson Altini.

Pjesëmarrja e ulët, siç thotë Enida, një tjetër aktiviste e “Ambasadës Pink”, lidhet me një lloj frikë, mbi sigurinë fizike.

“Manifestimi te sheshi nuk do të sillte kërcënim për njerëzit. Por, ky mendim imi po sfidohet dhe unë po bëhem skeptike çdo ditë që po kalon, sepse ngrihen pikëpyetje. A mundem unë që e them këtë mendim me kaq siguri, t’i ofroja kaq siguri vetes apo një njeriu tjetër, që do të dilte në këtë paradë të presupozuar dhe të them me siguri që nuk do të sulmohej?! Këtë s’mund ta jap si përgjigje me siguri”, thotë Enida.

Lektorja e Fakultetit të Shkencave Sociale, Tahsini, thotë se shqetësimi për mbarëvatjen e manifestimit është i kuptueshëm. Por, ajo beson se shoqëria shqiptare do të dijë të tregojë maturi.

“Besoj që mund të ketë persona të caktuar që mund të ndihen të shqetësuar për pjesëmarrjen e tyre si individë në një eveniment të tillë, dhe kjo është e kuptueshme në njërën anë. Shpresoj që kjo të mos kishte asnjë lloj baze reale. Megjithatë, ajo që mund të themi në këtë moment, është se, u takon të gjitha instancave përkatëse dhe veçanërisht shtetit që të bëjnë punën e vet. Nga ana tjetër, i takon shoqërisë shqiptare që të tregojë nivelin e vet të civilizimit që nuk është se nuk e ka treguar dhe herë të tjera në mënyrë që kjo të jetë një ditë e qetë”, vlerëson Tahsini.

Më 17 maj komuniteti LGBT, mbështetur nga shoqëria civile, do të manifestojë në shesh. Siç thonë organizatorët, do të jetë një manifestim tipik i njerëzve që kërkojnë të respektohen të drejtat e tyre, pavarësisht prirjes seksuale.
XS
SM
MD
LG