Ndërlidhjet

logo-print

Lirohen policët, hetimet vazhdojnë...


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës

Dy policët kosovarë, të cilët u arrestuan të shtunën nga xhandarmëria serbe në zonën në afërsi të pikës kufitare në Merdare, i janë dorëzuar misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ndërsa tashmë kanë arritur në Kosovë.

Lajmin ia konfirmoi Radios Evropa e Lirë zëdhënësi i EULEX-it, Nikollas Hauton, i cili bëri të ditur se transportimi i tyre është bërë me një veturë të misionit nga Prokupla për në territorin e Kosovës.

Hauton tha se hetimet për rrethanat e arrestimit do të vazhdojnë, por përjashtoi mundësinë që raporti final të jetë publik. Ai nuk dha as ndonjë afat kohor se kur mund të jetë gati raporti në fjalë.

“Rrethanat e arrestimit të tyre janë duke u hetuar. Pjesëtarët e Policisë dhe të KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes ku thuhet se është bërë arrestimi. Pra, ka nisur mbledhja e të dhënave për hetimin e këtij rasti. Gjasat janë të ulëta që ky raport të jetë publik. Ky do të jetë një hetim, të cilin e bëjnë policët e prokurorët, ndërsa nuk ka ndonjë afat kohor se sa kohë do të marrë ky hetim”, u shpreh Hauton për të shtuar se lirimi i policëve kosovarë është bërë pas ndërhyrjes së misionit EULEX.

Autoritetet serbe kishin thënë se policët Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, janë arrestuar, meqë kishin shkelur zonën e gjelbër dhe me këtë edhe marrëveshjen ushtarako - teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe.

Prishtina zyrtare, ndërkaq, e kishte quajtur “kidnapim” arrestimin e policëve, duke shprehur bindjen që ai të ketë zënë vend brenda territorit të Kosovës.

Por, ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daciq, u tha mediave serbe gjatë ditës se “ata janë arrestuar, sepse kanë qenë të armatosur dhe të uniformuar në territorin e Serbisë qendrore”.

“Dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë paraqitur sot në gjykatë dhe për ta do të ngrihet një kallëzim penal”, tha Daçiq.

Ai porositi autoritetet kosovare “që të shohin punët e veta”, duke ngritur pyetjen se çfarë detyre kishin policët në territorin e Serbisë qendrore.

E, ndërkohë, as KFOR-i, i cili po kryeson hetimet mbi rrethanat e arrestimit, nuk dha detaje të tjera për procesin e hetimit. Den Harvej, një nga zëdhënësit e misionit të NATO-s, shpjegoi:

“KFOR-i është i shqetësuar për zhvillimet e fundit, por është i bindur që të gjitha palët e përfshira të sillen në mënyrë profesionale për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje. Është përgjegjësi e KFOR-it të adresojë shkeljet e vijës administrative e kufitare. Në rast se ka ndonjë mosmarrëveshje për vijën kufitare-administrative, KFOR-i është arbitrazhi për këtë çështje”.

Bajram Rexhepi

Bajram Rexhepi

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ndërkaq shprehu bindjen që gjithçka lidhur me incidentin e së shtunës të qartësohet në raportin zyrtar të KFOR-it.

“Këto janë çështje të tjera dhe besoj që ata të dalin me raport zyrtar”, u shpreh Rexhepi.

Fërkimet kryesore ndërmjet autoriteteve serbe dhe atyre kosovare pasuan arrestimin e katër serbëve në Kosovë që thuhet se po bartnin material zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e vendit-hap i kundërshtuar ashpër nga Prishtina zyrtare.

Pas këtij arrestimi, policia serbe arrestoi në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, dy kosovarë - Hasan Abazin, kryetarin e Sindikatës së Industrialistëve të Kosovës, dhe Adem Murselin nën dyshimet për “spiunazh dhe tregti me drogë”, bazuar në fletë-arrestet e “Gjykatës së Qarkut në Gjilan” dhe Drejtorisë së Policisë serbe në Beograd.

Autoritetet kosovare, ndërkaq, arrestimin e së shtunës, gjithashtu e cilësuan si ndërhyrje të ashpër të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG