Ndërlidhjet

Ekonomistët dhe ekspertët e zhvillimit takohen në OKB për të diskutuar nëse përmirësimi i lumturisë është i rëndësishëm sa edhe rritja e bruto produktit kombëtar (GNP) për shtetet në zhvillim.

Konferencën - në të cilën shfaqet ekonomisti fitues i çmimit Nobel, Xhozef Stiglic, dhe Xhefri Saçs, drejtor i Institutit të Tokës në Univerisitetin e Kolumbisë - e organizon Mbretëria e Butanit, që me dekada ka argumentuar se treguesit e fortë ekonomikë, nuk reflektojnë në mënyrë të duhur lumturinë e një kombi me mirëqenie të lartë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në korrikun e kaluar në mënyrë unanime ka miratuar një rezolutë që i bën thirrje sekretarit të përgjithshëm që të studiojë se si “ndjekja e lumturisë dhe mirëqenies” mund të përdoret për të avancuar qëllimet e Mileniumit të OKB-së.

[LINK: http://daccess-dds-ny.un.org/doc/UNDOC/GEN/N11/420/70/PDF/N1142070.pdf?OpenElement]

Ish-zëvendëssekretarja e parë e OKB-së Luizë Freshet, një figurë e shquar në Qendrën kanadeze për Inovacione të Qeverisjes Ndërkombëtare, thotë se përpjekja është pjesë e një procesi të gjatë në OKB, që kur u formuan Qëllimet e Mileniumit(MDG) në vitin 2000.

“Qëllimet e Mileniumit janë munduar që të përkufizojnë zhvillimin në një kuptim më të gjerë sesa në matjen e thjeshtë të varfërisë. Kjo është bërë në MDG-të e para. Por, kur flet për shëndetin dhe arsimimin- nocioni i indeksit të lumturisë është një rrugë që të çon te nocioni se zhvillimi nuk ka të bëjë vetëm me numra të pastër ekonomikë”, thotë Freshet.

Butani po luan rol qendror në kërkesën e ripërkufizimit se çka nënkupton zhvillimi. Duke e ditur se treguesit ekonomikë si GNP, ose produktiviteti i punës - janë masa joprecize për mirëqenien kombëtare, Butani ka aplikuar konceptin e ri të “rritjes kombëtare të lumturisë” në buxhetin e tij që nga vitet ’70.

[LINK: http://www.grossnationalhappiness.com/articles/]

Këto përpjekje kanë prodhuar një libër udhëzues 750 faqesh dhe një pyetësor, që përfshin 33 indikatorë të ndarë në kategori ku hyjnë mirëqenia psikologjike, shëndeti, arsimimi, kultura, qeverisja, komuniteti, ekologjia, standardet jetësore dhe përdorimi i kohës.

Karma Ura, një artist butanez dhe intelektual që shërben si këshilltar i mbretit të Butanit, është ambasadori kryesor ndërkombëtar i idesë së rritjes së lumturisë kombëtare.

Ai e sheh “formën e vërtetë të pasurisë” në shëndetin e mirë, në ambientin e gjallë, kapitalin e fuqishëm social dhe në një jetë kuptimplote.

Për disa vjet, Butan është përpjekur që ta sjellë këtë filozofi në skenën globale, dhe ka arritur sukses. Edhe qeveria franceze edhe ajo britanike kanë paraqitur masat e mirëqenies për të matur zhvillimin.

Por, skeptikët e shohin lëvizjen e përfshirjes së koncepteve për matjen e lumturisë si një maskim të dështimeve zhvillimore.

Një nga ta është Frank Furedi, profesor i sociologjisë në Universitetin e Kentit.

“Mendoj se kjo paraqet trendin që të shmangen çështjet e vështira ekonomike. Duke e zgjeruar definicionin e zhvillimit, ju e zbrazni atë nga çdo përmbajtje, ashtu që sa më shumë që e lidhni me çështje jo ekonomike dhe jo materiale, aq më arbitrar ai do të bëhet”, thotë Furedi.

Ai thekson se shtetet e bllokut sovjetik dhe Kina, janë shembuj të vendeve ku pretendohet se është arritur “lumturia universale”.

Në muajin e kaluar, shteti represiv dhe i prapambetur i Turkmenistanit deklaroi zyrtarisht se ka hyrë në “epokën e lumturisë supreme të shtetit stabil”.

Çarls Keni, një anëtar i lartë i Qendrës për Zhvillime Globale në Uashington pajtohet se GNP është një tregues i dobët i zhvillimit, por ndjen se indikatorët e lumturisë janë zhvilluar shumë pak për të qenë të dobishëm.

“Problemi është se nëse ke një gjë të mirë për ta futur në Qëllimet e Mileniumit, duhet të ketë një marrëveshje në lidhje me atë që po masim. Për shembull, te mortaliteti i fëmijëve, e dimë çka po masim, masim numrin e fëmijëve që vdesin në mes të moshës 1 dhe 5-vjeçare në shtetet në zhvillim. Sa i përket lumturisë, jo të gjithë e kuptojnë se për çka po flasim”, thekson Keni.

Ish-zëvendëssekretarja e parë e OKB-së, Freshet, vë në pah se Butani nuk i ka zëvendësuar treguesit e rreptë ekonomikë si GNP në planifikim e tij, por thjesht ka shtuar një dimension shtesë. Ajo mirëpret diskutimet aktuale në OKB.

“Mendoj se është një gjë pozitive sjellja e njerëzve në qeveri, në veçanti, për të kuptuar se çka do të donin ata të arrijnë në shoqëri. Janë disa caqe më të prekshme, por ka edhe gjëra që janë më pak të prekshme”, thotë Freshet.

Timoti Ribak, zëvendëskryetar i Akademisë Ndërkombëtare Diplomatike në Paris, pajtohet se inciativës së Butanit meriton t’i kushtohet vëmendje.

“Lumturia mund të jetë një art- që dikush përpiqet ta kthejë në shkencë. Dhe unë mendoj se sa më shumë që të marrë vëmendje, njerëzit nisin e thonë: Çfarë është me të vërtetë kjo? Si i identifikoni këta tregues? Si i matni ato?- Unë mendoj se do të na ndihmojë në përcaktimin se si dikush arrin në këto përkufizime dhe në matjen e saj”, thotë Ribak.(a.i.)
XS
SM
MD
LG