Ndërlidhjet

Afganistan: Shqetësime për largimin e NATO-s


Kunduz
Kunduz
Frud Bezhan, Radio Evropa e Lirë

Lufta në Afganistan po e arrin pikën kritike, pasi forcat e jashtme po përgatiten të largohen, ndërsa forcat afgane e marrin kontrollin ndaj sigurisë.

Derisa tërheqja e trupave të jashtme është pritur me gëzim nga disa, shumë banorë kanë shqetësime se Ushtria Kombëtare Afgane dhe forca policore, nuk janë të afta ta mbajnë sigurinë në këtë vend.

Rrjedhimisht, i mbetet Ushtrisë Kombëtare Afgane dhe forcës policore të marrin rol shumë më të madh në mbajtjen e sigurisë dhe pengimin e rishfaqjes së talibanëve dhe Al-Kaidës.

Aktualisht, mbështetja në Shtetet e Bashkuara për luftën në Afganistan, është në pikën më të ulët prej se ka filluar lufta, ndërsa thirrjet për largim të trupave të jashtme po bëhen gjithnjë e më të zëshme në Afganistan, pas zhvillimeve të fundit, djegies së kopjeve të Kuranit dhe vrasjes së civilëve afganë.

Por, një hulumtim i shërbimit të Afganistanit i Radios Evropa e Lirë, ka treguar se afganët janë të ndarë sa i përket çështjes se a janë të afta forcat vendëse të sigurisë për ta ruajtur sigurinë.

Abdullahu është një bujk nga provinca jugore Helmand, që për një kohë të gjatë ishte qendër e kryengritjes talibane dhe e tregut të drogës në Afganistan.

“Nuk mendoj se forcat afgane mund të na mbrojnë, pasi ato janë financiarisht të dobëta dhe numri i tyre është ende relativisht i vogël. Ato nuk kanë armatim të duhur, kështu që ato nuk janë të gatshme në asnjë pikë. Tash ne po shohim se talibanët ndalen nga forca ajrore të forcave të jashtme. Nëse kjo nuk do të ekzistojë, atëherë talibanët do ta kthejnë kontrollin e tyre në gjithë Afganistanin, shumë shpejt”, thotë Abdullahu.

Në provincën fqinje, Kandahar, ku 17 fshatarë u vranë aktualisht gjatë një sulmi të natës, për të cilin është i dyshuar një ushtar amerikan, opinionet janë më tepër kundër pranisë së trupave të jashtme.

Gul Bibi, një grua në moshë, që jeton në Kandahar, thotë:

“Ne nuk duam që amerikanët të mbesim ende në vendin tonë. Ne e kemi mënyrën tonë të jetesës. Tash ne e kemi ushtrinë dhe ne mund ta rindërtojmë vendin tonë. Ushtarët tanë mund të na mbrojnë. Amerika nuk është miku ynë i vërtetë. Ata nuk janë këtu për të qenë miqtë tanë. Talibanët janë afganë dhe ata mund të jetojnë me ne dhe me ushtrinë tonë në paqe”.

Në pjesën lindore të Afganistanit, përgjatë kufirit me Pakistanin, shumë banorë lokalë ndjejnë se pa mbështetjen e fuqive perëndimore, Afganistani edhe njëherë do të zhytet në anarki.

Humera është një vajzë e re nga provinca Konar, që për një kohë të gjatë ishte qendër e aktivitetit kryengritës. Ajo thotë se forcat afgane nuk do të jenë të afta t’i mbrojnë banorët lokalë.

“Nëse forcat e jashtme largohen nga provinca jonë, forcat afgane nuk do të jenë të afta ta mbrojnë vetë Afganistanin. Kjo është për arsye se ushtria jonë nuk i ka burimet që i kanë të jashtmit. Atyre duhet dhënë tanke dhe armatim tjetër të rëndë. Talibanët po presin që forcat ndërkombëtare të largohen. Atëherë kur të kthehen ata, nuk do t’i lejojnë vajzat të shkojnë në shkollë dhe motrat tona, që tash punojnë, nuk do të lejohen të shkojnë në punë”, tha Humera.

Në hapësirat nën kontrollin e trupave afgane, shumë banorë lokalë thonë se janë optimistë të kujdesshëm për aftësinë e ushtrisë afgane dhe forcës policore që ta mbajë rendin dhe sigurinë.

Banori Abdullah Himat jeton në provincën Khost, në pjesën juglindore të Afganistanit, ku forcat afgane i mbajnë nën kontroll disa hapësira kryesore strategjike.

Ai thotë:

“Mund t’ju flas për Khostin, ku tash forcat afgane e kanë marrë përgjegjësinë për siguri. Populli e di se tash ata mund t’i mbështesin në mënyrë të plotë forcat e tyre ushtarake. Kjo më bën të besoj se forcat afgane mund ta marrin përgjegjësinë për sigurinë e vendit, vitin e ardhshëm, më 2013”.

Afganët në pjesën veriore, që relativisht ishte paqësore, ku shumë provinca janë nën kontrollin qeveritar, thonë se forcat afgane, shkallë-shkallë, po e fitojnë besimin e banorëve.

Abdul Vali Aresh, banor nga Mazar-e-Sharif në provincën Balkh, thotë se forcat afgane kanë bërë shumë përparime, por këmbëngul se ende mbetet rrugë e gjatë përpara.

“Derisa po afrohet 2014-a, forcat afgane duhet të bëjnë shumë, para se ta marrin kontrollin e vendit. Në hapësirat ku ato e kanë kontrollin, ato ende nuk kanë kontroll të plotë dhe mbështetje nga populli”, thotë banori Aresh. (f. b.)
XS
SM
MD
LG