Ndërlidhjet

Jahjaga u takua me delegacionin e Kongresit të SHBA-ve


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot është takuar me delegacionin e Kongresit të Shteveve të Bashkuara, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Në delegacionin amerikan ishin kongresistët David Dreier, David Price, Jim McDermott, Erik Paulsen dhe Gerry Connolly.

Zonja Jahjaga në këtë takim ka shprehur falënderimet e saj dhe të popullit të Kosovës për ndihmën që SHBA-ja, administrata e saj, Kongresi dhe populli amerikan, i kanë dhënë Kosovës në arritjen e lirisë.

Ajo theksoi se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët të institucioneve e qytetarëve të saj, me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas saj, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj evropianë, e kanë dëshmuar përkushtimin ndaj Ballkanit dhe vizionit për Evropën e bashkuar dhe rajonin e Ballkanit të integruar plotësisht, thuhet në faqen e presidentes së Kosovës në Internet.

Atifete Jahjaga tha se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe vlerësoi se zbatimi i planit Ahtisari, që ofron një gamë të gjërë të të drejtave për komunitetin serb, është zgjidhja më e mirë për integrimin e komunitetit serb në gjithë territorin e Kosovës.

Anëtarët e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, theksuan se vizita e tyre në Kosovë zhvillohet me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe të ekspertizës, posaçërisht me Kuvendin e Kosovës.

Kongresistët amerikanë theksuan se Kosova është një vend që ka kaluar një histori të rëndë, por ka treguar sukses në gjithë këto vite të fundit.
XS
SM
MD
LG