Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Mit Romni fitoi në tri shtete


Mit Romni feston pas tri fitoreve

Mit Romni feston pas tri fitoreve

Me fitore në tri shtetet, në të cilat të martën u mbajtën votimet e republikanëve për nominimin e kandidatit presidencial, ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, duklet se e ka bërë një hap vendimtar, për tu ballafaquar me presidentin Barak Obama, në zgjedhjet presidenciale më 6 nëntor të këtij viti.

Zoti Romni fitoi në të tri shtetet: Viskonsin, Merilend dhe Uashington D. C.

Nga ana tjetër, këto humbje për rivalin e tij kryesor, Rik Santorum, ish senator nga Pensilvania, janë goditje e rëndë, pasi ai tash mbetet shumë larg Romnit, si në aspektin e delegatëve për Konventën Kombëtare Republikane, ashtu edhe në sigurimin e fondeve.

Në fjalimin e tij me rastin e fitores, zoti Romni, siç ka vepruar ditëve të fundit, nuk merrej me rivalët e tij republikanë, por në fokus i kishte kritikat për presidentin Barak Obama.

“Liberalët që e kanë humbur kontaktin, sikur Barak Obama, thonë se ata e dëshirojnë ekonominë e fuqishme, por çdo gjë që bëjnë ata tregojnë se nuk e duan biznesin aq shumë. Por, kuptohet, ekonomia është thjesht produkt i të gjitha bizneseve të bashkuara në një vend. Prandaj, kjo është afërsisht sikur kur thoni se ju pëlqen omëleta, por jo edhe vezët”, tha Mit Romni, para mbështetësve të tij në Milvoki.

Në një shenjë e cila tregon se Barak Obama e sheh Mit Romnin si pengesë kryesore në synimin e tij për rizgjedhje, presidenti e veçoi atë gjatë një fjalimi mbrëmnë vonë dhe e kritikoi ashpër për pikëpamjet e tij.
XS
SM
MD
LG