Ndërlidhjet

SHBA: Mit Romni fitoi në tri shtete


Mit Romni
Mit Romni
Me fitore në tri shtetet, në të cilat të martën u mbajtën votimet e republikanëve për nominimin e kandidatit presidencial, ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, duket se ka bërë një hap vendimtar, për t’u ballafaquar me presidentin Barak Obama, në zgjedhjet presidenciale më 6 nëntor të këtij viti.

Por, duket se këto votime nuk do të përfundojnë shpejt, pasi kandidati tjetër, Rik Santorum, ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga gara.

Mit Romni ka fituar në të tri shtete: Viskonsin, Merilend dhe Uashington D. C.

Në Viskonsin, Mit Romni fitoi 43 për qind, ndërsa rivali i tij kryesor, ish-senatori nga Pensilvania, Rik Santorum, fitoi 38 për qind të votave.

Vlen të theksohet se zoti Santorum, pothuajse e kishte injoruar garën në Merilend dhe Uashington D. C. , duke shpresuar se me fitore në Viskonsin, do të fitonte një impuls të ri.

Në Meriland, Romni fitoi 49 për qind, Santorum 29 për qind, ndërsa në Uashington D. C. Romni dominoi me 70 për qind të votave.

Dy kandidatët e tjerë, ish-kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit Amerikan, Njut Gingriç, dhe kongresmeni Ron Pol, kanë mbetur prapa në të tri shtetet, ku u votua të martën.

Në Uashington D. C. Pol tuboi 12 për qind, ndërsa Gingriç 11 për qind. Në këto votime nuk mori pjesë Santorum.

Tash Mit Romni ka 655, prej gjithsej 1144 delegatëve, sa nevojiten për ta siguruar nominimin në Konventën Kombëtare Republikane, në fund të muajit gusht në Tampa të Floridës.

Santorum ka 278, Gingriç 135 dhe Pol 51 delegatë.

Nga ana tjetër, këto humbje për kandidatin, Rik Santorum, ish-senator nga Pensilvania, janë goditje e rëndë, pasi ai tash mbetet shumë larg Romnit, si në aspektin e delegatëve për Konventën Kombëtare Republikane, ashtu edhe në sigurimin e fondeve.

Zoti Romni i ka bërë thirrje zotit Santorum, që të tërhiqet nga gara në mënyrë që republikanët të fokusohen kundër Barak Obamës, e jo kundër njëri -tjetrit.

Ai ka sugjeruar se refuzimi për ta bërë këtë mund t’i dëmtojë rëndë republikanët në zgjedhjet e nëntorit.

Por, Rik Santorum ka shprehur përkushtim për vazhdimin e garës, duke thënë se “Pensilvania dhe gjysma e njerëzve të tjerë në vend, duhet të dëgjohen”. Votimet në Pensilvani mbahen pas tri javësh, ndërsa muajin e ardhshëm zhvillohet gara në Teksas, Arkanzas dhe në shtetet e tjera jugore.

Në fjalimin e tij me rastin e fitores, zoti Romni, siç ka vepruar ditëve të fundit, nuk merrej me rivalët e tij republikanë, por në fokus i kishte kritikat për presidentin Barak Obama.

“Liberalët që e kanë humbur kontaktin, sikur Barak Obama, thonë se ata e dëshirojnë ekonominë e fuqishme, por çdo gjë që bëjnë ata, tregojnë se nuk e duan biznesin aq shumë. Por, kuptohet, ekonomia është thjesht produkt i të gjitha bizneseve të bashkuara në një vend. Prandaj, kjo është afërsisht sikur kur thoni se ju pëlqen omëleta, por jo edhe vezët”, tha Mit Romni, para mbështetësve të tij në Milvoki.

Në një shenjë, e cila tregon se Barak Obama e sheh Mit Romnin si pengesë kryesore në synimin e tij për rizgjedhje, presidenti e veçoi atë gjatë një fjalimi mbrëmë vonë dhe e kritikoi ashpër për pikëpamjet e tij.

*Huazuar nga agjencitë botërore të lajmeve
XS
SM
MD
LG