Ndërlidhjet

logo-print
Objekti i Institutit të Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka filluar të ndërtohet në vitin 2004. Edhe pse funksionalizimi i tij i pjesshëm, si Kimioterapia, ka filluar kohë më parë, ai ende nuk i ka përmbushur kushtet e parapara teknike për t’u funksionalizuar në tërësi.

Radioterapia, si një shërbim shumë i nevojshëm për pacientët, ka mbetur ende jashtë funksionit. Edhe pas deklaratave të shumta të zyrtarëve qeveritarë, se ky shërbim do të fillojë të funksionojë në fund të vitit të kaluar, kjo ende nuk ka ndodhur.

Mejreme Maloku, onkologe në Institutin e Onkologjisë, deklaron se Radioterapia është ende jashtë funksionit. E kjo, sipas doktoreshës Maloku, bën që pacientët ta kërkojnë këtë shërbim jashtë vendit.
Ministria e Shëndetësisë, së bashku me EULEX-in janë duke hetuar për objektin.

“Ka pasur premtime, por ende nuk ka filluar. Ministria e Shëndetësisë, së bashku me EULEX-in janë duke hetuar për objektin. Pacientët maltretohen lart e poshtë. Radioterapia si shërbim jashtë funksionit, i bën që pacientët të shkojnë jashtë vendit”, thotë Maloku.

E, Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, pohon se mosfunksionimi i Radioterapisë, ka ardhur si rezultat i hetimeve të EULEX-it bërë këtij objekti, për shkak të dyshimeve për shkallën e lartë të radioaktivitetit në objektin ku janë të vendosura aparaturat.

“Ministria e Shëndetësisë ka qenë e gatshme që, përmes Institutit të Onkologjisë, të fillojë me aplikimin e radioterapisë. Mirëpo, për shkak të dyshimeve që janë ngritur për praninë ose jo të shkallës së lartë të radioaksionit, në objektin ku janë të vendosura aparaturat, është dashur të bëhen disa matje, të cilat për fat të mirë kanë treguar se nuk ka rrezik as për stafin që punon aty, e as për pacientët që marrin shërbime aty. Pas kësaj, ka qenë i involvuar EULEX-i rreth sqarimit të këtyre dyshimeve dhe Ministria e Shëndetësisë i ka bërë kërkesë EULEX-it , që a mund të shkohet më tej me aplikimin e radioterapisë”, bën të ditur Hoti.

E, në pyetjen ton se a ka ndonjë afat kohor se kur mund ta marrin këtë shërbim pacientët, Hoti thotë:

“Ministria nuk mund t’u parashtrojë afate kohore institucioneve që merren me hetime të ndryshme”.

Ndërkaq, numri i pacientëve që presin të aplikojnë radioterapinë, është i madh. Këtë e pohojnë zyrtarë në Qendrën Klinike Universitare. Por, atyre u duhet të udhëtojnë jashtë vendit për të marrë këtë shërbim.

E, Ministria e Shëndetësisë, dy milionë euro, sa i ka të ndara për programin e trajtimit të pacientëve për shërim jashtë vendit, thotë se nuk po mjaftojnë për mbulimin e kërkesave të të gjithë të sëmurëve.

Kërkesa nga Qeveria e Kosovës për të rritur fondet për këtë program, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, ka qenë e parealizueshme. Në vitin që e lamë pas, sipas zyrtarëve të po kësaj ministrie, kanë aplikuar rreth 800 pacientë për trajtim jashtë vendit, derisa 290 prej tyre kanë përfituar nga ky fond. Fondi për trajtim ka qenë 2 milionë euro, aq sa është edhe këtë vit.

Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, pohon se, edhe pse aparaturat janë të gatshme dhe gjithçka është gati sa i përket shërbimit të radioterapisë, ky shërbim do të fillojë aplikimin pas hetimeve të EULEX-it. Por, sipas Fazliut, kërkesat e pacientëve për radioterapi janë shumë të mëdha, meqë një numër i madh i tyre aktualisht marrin kemioterapi në kuadër të Institutit të Onkologjisë dhe kanë nevojë edhe për rrezatime të ndryshme.

“Edhe pse ka qenë e paraparë që në fund të vitit të kaluar të fillojë shërbimi i radioterapisë, ky shërbim ende nuk ka filluar të ofrohet në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës . Ka qenë një hetim nga EULEXI ajo që ka bërë që ky shërbim të mos fillojë, andaj presim që të marrim informacion nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me EULEX-in”, shpjegon Fazliu.

E, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tregojnë se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja me kancer. Supozohet se në vitin 2020 kjo rritje mund të shkojë deri në rreth 15 milionë raste të reja në nivel global.

Lexoni edhe këto:
Sa shpenzojnë pacientët për shërim jashtë vendit?
Kanceri i lëkurës, mangësi trajtimi dhe diagnostikimi
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG