Ndërlidhjet

Nevoja për Parlament të fuqishëm


Kryeparlamentari Jakup Krasniqi gjatë vizitës së delegacionit të kongresmenëve amerikanë në Prishtinë.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi gjatë vizitës së delegacionit të kongresmenëve amerikanë në Prishtinë.
Situata e përgjithshme në Kosovë, sfidat e brendshme dhe diplomatike të shtetit dhe puna e legjislacionit të vendit ishin temat kryesore të takimit, të cilin një delegacion kongresmenësh amerikanë e zhvilloi me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Me gjithë kritikat e deritashme drejtuar punës së Kuvendit dhe akuzave të mëhershme se ai “është shndërruar në zëdhënës të Qeverisë”, kongresmenët e Shteteve të Bashkuara e vlerësuan lart rolin e këtij institucioni në ndërtimin e demokracisë, ndërsa theksuan rëndësinë që Kosova ta ketë një legjislativ të fuqishëm dhe të zëshëm.

Dejvid Prajs, njëri nga anëtarët e delegacionit, tha se brenda katër viteve të ekzistimit si shtet, Kosova ka shënuar përparim kur bëhet fjalë për punën e Kuvendit.

“Është vërtet e mrekullueshme ajo që ka ndodhur brenda katër viteve dhe mënyra se si ky Parlament po zhvillohet në drejtim të funksionimit në kuadër të familjes së parlamenteve evropiane”, tha Prajs.

Rol, po ashtu, të rëndësishëm në jetësimin e idesë që parlamenti të jetë mbikëqyrës i Qeverisë, sipas kongresmenit tjetër amerikan, Dejvid Dreir, kanë dhe gratë deputete.

“Sot kemi pasur një varg takimesh shumë të rëndësishme ku jemi përqendruar në mbikëqyrjen, procesin e buxhetit, strukturat e komiteteve, shërbimet kushtetuese, por do të thosha që pika ndoshta kulmore për mua ka qenë takimi me grupin e grave deputete”, u shpreh Dreir.

Edhe pse nuk u deklaruan për situatën aktuale politike në Kosovë gjatë takimit të tyre me gazetarë, përmes një komunikate për media, të cilën e lëshoi zyra për informim e Kuvendit, mësohet që në takimin e Krasniqit me delegacionin e kongresmenëve amerikanë, të jetë biseduar edhe për raportet Kosovë-Serbi.

Mësohet se Krasniqi të ketë folur edhe “për vështirësitë dhe sfidat e brendshme, me të cilat ballafaqohet Kosova, si: zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik të vendit, papunësinë e madhe, sundimin e rendit dhe të ligjit, kurse në planin e jashtëm ka veçuar mosnjohjen e Kosovës nga pesë vende të BE-së, çështjen e liberalizimit të vizave, dhe sidomos problemet e shkaktuar nga Serbia në veri të Kosovës”.

“Pasi ka theksuar funksionimin e strukturave paralele të Serbisë në këtë pjesë të Kosovës dhe arrestimin ditë më parë të dy policëve të Kosovës brenda territorit të vendit tonë, Krasniqi ka theksuar se megjithëkëtë, Kosova ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Serbisë, e cila dorën e saj e bën grusht për të na goditur sa herë i krijohet rasti. Ai ka potencuar se Beogradi nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel”, thuhet në komunikatën për media të Kuvendit.

Në përbërjen e delegacionit të kongresmenëve amerikanë ishin edhe Xhim MekDërmët Erik Polsën dhe Geri Konelli. Të martën delegacioni u takua edhe me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
XS
SM
MD
LG