Ndërlidhjet

Sulmohet konvoji serb


Prishtina
Prishtina
Disa persona të dyshuar sulmuan gjatë ditës me gurë konvojin e një delegacioni të Republikës së Serbisë, i cili ishte nen përcjelljen e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, njoftoi policia.

“Si pasojë e gjuajtjes me gurë nga personat e dyshuar, dy veturat e delegacionit kanë pësuar dëme të vogla materiale duke iu thyer xhamat anësorë, ndërsa lëndime të personave nuk ka pasur”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Mësohet se, lidhur me këtë rast, zyrtarët policorë kanë arritur që ta arrestojnë një person si të dyshuar të mundshëm, ndërsa e kanë shoqëruar edhe personin e dytë në stacion policor. Ky i fundit thuhet se është liruar pas intervistimit dhe me autorizim të prokurorit.

Policia bëri të ditur se “gjatë qëndrimit në stacionin policor zyrtarëve të delegacionit iu është ofruar ndihma mjekësore, por të njëjtit kanë refuzuar ndihmën mjekësore me arsyetimin se nuk kanë pësuar asnjë lëndim dhe nuk kanë nevojë”.

Ndryshe, autoritetet serbe thanë se gjatë incidentit në fjalë është lënduar një person.

Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviq, u bëri thirrje shefave të misioneve ndërkombëtare në Kosovë që në kuadër të mandatit të tyre të zhvillojnë hetimet për të zbardhur, sa më parë, rastin dhe për t’i vënë sulmuesit para dtrejtësisë.

“Është fjala për edhe një tentim të ekstremistëve për ta frikësuar popullatën serbe, për ta parandaluar dialogun, zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjen paqësore të problemeve”, citohet në një komunikatë për media të qeverisë serbe, kryeministri Cvetkoviq.

Sipas qeverisë së Serbisë, konvoji i veturave që u sulmuan po barte zyrtarët serbë që kishin ardhur në Prishtinë për të diskutuar mundësitë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në ndërkohe, mësohet se një tjetër incident në mes të serbëve e shqiptarëve është shënuar gjatë ditës në komunën e Graçanicës.

Incidenti ndodhi kur nje autobus që po bartte adhurues të futbollit u ndal në rruge për shkak të trafikut të ngarkuar. Sipas serbëve lokalë, shqiptarët që ishin në autobus, dolën në rrugë për t'i sulmuar serbët e qytetit.

Nuk dihet nëse ka pasur të lënduar apo jo. Nuk ka pasur konfirmim zyrtar të këtij incidenti.
XS
SM
MD
LG