Ndërlidhjet

Tiranë: Mandati i Rudina Seserit


Tiranë, ilustrim
Tiranë, ilustrim
Deputetja Rudina Seseri deklaroi në dhjetor të 2011-ës dorëheqjen nga mandati i deputetit të Partisë Socialiste. Zëvëndësimi i saj bëhet duke zbritur në emrin pasardhës në listën shumë- emërore që PS ka depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për qarkun ku ka kandiduar ish deputetja Seseri - në këtë rast qarku i Durrësit.

Por emri pasardhës, zoti Gjon Bardhi, kandidoi dhe u shpall fitues në zgjedhjet lokale të majit 2011, në bashkinë e Fushë- Krujës. Për këtë shkak ai kërkoi të ruajë mandatin e fituar në zgjedhje si kryebashkiak.

KQZ ndërkohë i ka dërguar Kuvendit një shkresë ku i njeh zotit Gjon Bardhi të drejtën për të marrë mandatin pas dorëheqjes së ish deputetes Seseri. Kjo gjë ka shkaktuar debate mes PS-së dhe Kuvendit. PS pretendon se duhet të ishte vijuar në listë me emrin tjetër, pasi zoti Gjon Bardhi deklaroi se do të mbajë mandatin e kryetarit të bashkisë së Fushë -Krujës. Por Kuvendi ka thënë se nuk ka kompetencë të ndërhyjë në një vendim të KQZ-së, dhe ka deklaruar se PS mund ta parashtronte çështjen në Gjykatën e Apelit.

Gjithashtu Kryetarja e Kuvendit ka deklaruar se kjo çështje kërkon dhe interpretim kushtetues për shkak të konfliktit që krijohet mes mandatit të deputetit dhe të kryetarit të bashkisë. (m.z.)
XS
SM
MD
LG