Ndërlidhjet

BB: Zhvillimi energjetik i Kosovës të mbështetet në thëngjill


Termocentralet në Obilq
Termocentralet në Obilq
Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Filip Le Houerou, ka theksuar se ekspertët e BB-së kanë vlerësuar se me gjithë projektet e mundshme për kapacitete të energjisë së ripërtritshme (normat e BE-së kërkojnë 20 për qind të kësaj energjie), “megjithatë Kosova zhvillimin e saj energjetik, detyrimisht, duhet ta mbështesë kryesisht mbi bazën e thëngjillit”.

Ai i ka bërë këto komente gjatë takimit që ka zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe me shefat e grupeve parlamentare.

Le Houreau që po qëndron në një vizitë disaditore ne Prishtinë, ka thënë se nga mbështetja e deritanishme, Banka Botërore po kalon në partneritet me Kosovën.

Ai sipas një komunikate për media të Kuvendit të Kosovës, i ka lavdëruar si shumë dobiprurëse investimet e BB-së në arsimin e Kosovës; ka folur edhe për projektet në bujqësi, në ujitjen e tokave dhe sigurimin e ujit të pijshëm, por më së shumti është përqendruar në mbështetjen e kapaciteteve energjetike mbi bazën linjitit në Kosovë.

Në anën tjetër, kryeparlamentari Krasniqi citohet ta ketë falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e deritanishme për Kosovën, për projektet e realizuara deri më tani, duke e garantuar mysafirin se Kuvendi i Kosovës do të përkrahë projektet e Qeverisë së Kosovës, të cilat do të mbështeteshin nga ky institucion financiar, si dhe do të krijojë legjislacionin e nevojshëm të vendit për fushat e nevojshme.
XS
SM
MD
LG