Ndërlidhjet

Rama: Të përmbyllet kapitulli i zgjedhjeve të deformuara


Edi Rama

Edi Rama


"Komisioni Evropian ka konstatuar në vijimësi probleme të rënda me zgjedhjet dhe kërkon që përmes një reforme të plotë elektorale, Shqipëria të përmbyllë kapitullin e zgjedhjeve të deformuara, e të kontestuara dhe të hapë një kapitull të ri", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama.

RADIO EVROPA E LIRË
Reforma elektorale është një nga parakushtet e vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Si e shihni ecurinë e procesit deri tani?

EDI RAMA
Reforma elektorale është prioriteti i prioriteteve ndër 12 prioritetet/ rekomandimet që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë, sepse pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e kotë që të pretendojmë të bashkohemi me familjen evropiane me të drejta të plota.

Ky fakt, kjo e vërtetë është një e vërtetë, të cilën vetë Komisioni Evropian e mbron, duke konstatuar në vijimësi probleme të rënda me zgjedhjet dhe duke kërkuar që përmes një reforme të plotë elektorale, Shqipëria të përmbyllë kapitullin e zgjedhjeve të deformuara, e të kontestuara dhe të hapë një kapitull të ri.

RADIO EVROPA E LIRË
Po shihni mjaftueshëm konsensus në mënyrën se si po vepron Komisioni i Reformës Zgjedhore - herë pas here duket sikur ka ngecje dhe të dyja forcat e mëdha politike fajësojnë njëra-tjetrën për këto ngecje. A ka konsensus të mjaftueshëm ky komision?

EDI RAMA
E vërteta është që kemi një mosdakordësi të plotë lidhur me qëndrimin ndaj sistemit zgjedhor. Ne duam një përmirësim të sistemit zgjedhor në funksion të rritjes së transparencës dhe të përfaqësimit të të gjithë votuesve përmes të gjitha subjekteve elektorale. Ndërsa, pala tjetër është krejtësisht e mbyllur në këtë pikë.

Sa i përket aspektit tjetër të reformës që ka të bëjë me rregullat e lojës, që ka të bëjë me të gjitha ato deformime dhe probleme të konstatuara nga misioni i OSBE/ODIHR-it, dhe me rekomandimet e këtij misioni, ka një ecuri, të cilën unë nuk do të doja ta gjykoja negativisht apo ta paragjykoja në këtë fazë.

Ecet, dhe shpresoj që të mos jetë e nevojshme në asnjë mënyrë një shtyrje tjetër e afatit, pasi ka një rëndësi themelore që reforma të mbyllet në kohë për t’i dhënë mundësi implementimit të të gjitha atyre masave që ne synojmë të përfshihen në ligj dhe që kërkojnë edhe futjen e teknologjisë së re në procesin zgjedhor në Shqipëri, siç është fjala për identifikimin apo për numërimin elektronik.

RADIO EVROPA E LIRË
A ju vjen keq që, ndoshta, për shkak të mosndryshimit të sistemit, apo të paktën, korrektimit të tij, gjë që e ka kërkuar Partia Socialiste, mund të humbisni disa nga aleatët tuaj, p.sh PPDNJ-ja ka thënë që nëse sistemi nuk ndryshon, do të kalojë në polin e qendrës?

EDI RAMA
Nuk është çështje keqardhjeje, është çështje parimi dhe siç e kemi thënë, ashtu kemi bërë. Në Komisionin e Reformës Elektorale jemi zëdhënës edhe të të gjitha partive tjera që nuk janë të përfaqësuara në këtë komision, pasi ndajmë mendimin se përmirësimi i sistemit në funksion të rritjes së proporcionalitetit, do të ishte hap i duhur për një të mirë të përbashkët dhe për interesin publik.

Nuk është çështje e interesit të Pasrtisë Socialiste, është më gjerë se kaq dhe ne jemi të vendosur të bëjmë gjithë çka mundemi për të gjetur dakordësi në këtë pikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Para pak ditësh thatë se moszëvendësimi i mandatit të deputetes Rudina Seseri, mund të prishë marrëveshjen politike. A nuk ju duket e arsyeshme logjika që ka dhënë mazhoranca se ka nevojë për një interpretim kushtetues në këtë rast?

EDI RAMA
Në aspektin e demokracisë, është një aspekt i programit tonë të ri për një rilindje shqiptare bashkë me ekonominë, shoqërinë dhe Evropën. Shqipëria jeton, pa asnjë ekzagjerim, në një grusht-shteti permanent me një zinxhir që vazhdon të zgjatet hallkash, që realisht përbëjnë akte antikushtetuese, antiligjore dhe antidemokratike. I tillë është edhe ky i fundit me mandatin e një deputeti opozitar, për të cilin në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye opozita nuk ka çfarë kërkon në asnjë lloj gjykate, sepse është detyrim kushtetues dhe ligjor që në rast dorëheqjeje të një deputeti, të një tjetri e të një tjetri, zëvendësimi të bëhet në mënyrë automatike.

Ai është një mandat që Partia Socialiste ia ka dhënë populli dhe nuk mund t’ia marrë as Qeveria e as Gjykata.

RADIO EVROPA E LIRË
...sa do të prisni për këtë?

EDI RAMA
Më lejoni të them se nuk kam thënë rrezikohet prishja e një marrëveshjeje – ne nuk kemi asnjë marrëveshje me Qeverinë. Ne kemi marrëveshje me publikun, me Bashkimin Evropian në kuptimin që në rast se ne jemi në rrugën e një politike, e cila kërkon medoemos konsensus për çështje të mëdha që lidhen me prioritetet e integrimit dhe me statusin e kandidatit - kjo është absolutisht bindje dhe vullnet politik i yni.

Thënë kjo dua të nënvizoj se çka kam deklaruar ka qenë se nuk e dëshirojmë, do të bëjmë çmos për ta shmangur një krizë të re politike.
RADIO EVROPA E LIRË
A është i vërtetë konstatimi i disa analistëve se ka një shtendosje mes marrëdhënieve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim - çfarë ka hedhur dyshime ndoshta dhe për një aleancë të mundshme ndërmjet jush më 2013?

EDI RAMA
LSI-ja është pjesë e koalicionit qeveritar dhe ne nuk shohim asnjë dallim që të na bëjë të mendojmë çfarëdo skenari tjetër, përveç skenarit të marrjes së të gjitha votave të popullit shqiptar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të më shumë se 71 mandateve për të qeverisur Shqipërinë, si alternativë e këtij koalicioni me një ofertë shumë të qartë - ose një rilindje shqiptare ose një rrënim i mëtejshëm me këtë koalicion, ku edhe LSI-ja është pjesë integrale.

RADIO EVROPA E LIRË
Së shpejti do të jenë zgjedhjet presidenciale, ju keni këmbëngulur për një president konsensual, ndërkohë që mazhoranca thotë që do ta zgjedhë presidentin sipas variantit kushtetues. A do të jetë e vështirë të gjendet një president konsensual nën këtë frymë?

EDI RAMA
Ne kemi kërkuar një president sipas Kushtetutës, që do të thotë një president që të plotësojë atë kriter themelor që ka Kushtetuta për figurën e presidentit të Republikës, qenien mbi palët dhe përfaqësues i unitetit kombëtar.

Besoj se një proces, nga ku një president i pranuar nga palët dhe mbi palët është një proces që lidhet domosdoshmërisht jo vetëm me garantimin e të gjitha atyre institucioneve që presidenti supozohet kushtetushmërisht se garanton, por edhe me dhënien e një shansi të madh të statusit të kandidatit, sepse zgjedhje e presidentit të Republikës dhe mënyra se si ai do të zgjidhet, pranueshmëria që ai ose ajo do të kenë nga palët, përbën një test përballë procesit dhe përballë Komisionit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
...sa të vështirë e shihni?

EDI RAMA
Asgjë nuk është e lehtë në Shqipëri, asgjë nuk është e lehtë, edhe më shumë, në politikën shqiptare dhe për më tepër, kjo është një sfidë për gjithë politikën shqiptare. Si e tillë, sigurisht është e vështirë si çdo sfidë e madhe. Por, ama rëndësi ka që të ketë vullnet politik dhe me vullnet politik kapërcehet çdo vështirësi e kësaj natyre.
XS
SM
MD
LG