Ndërlidhjet

Bosnjë: Recetat e ëmbla në kohën e hidhur


Recetat e ëmbla të luftës në Bosnjë...
Recetat e ëmbla të luftës në Bosnjë...
Para dy dekadash, banorët e Sarajevës i kaluan afro katër vjet nën bllokadën e paramilitarëve serbë, me ç’rast banorët u ballafaquan me mungesë të ushqimit, të ujit dhe të rrymës elektrike.

Tash, dy dekada më vonë, në vazhdim informojmë për një grua nga Sarajeva, e cila e mbijetoi rrethimin duke u mbështetur në librin e gatimit, recetat e të cilit kalonin nga një fqinj te tjetri, derisa sarajevasit e bllokuar provonin të kursenin ushqimin.

Recetat ishin me ëmbëlsira, por koha ishte e vështirë dhe e hidhur.

Para së gjithash, ushqimi me ëmbëlsira për çdo ditë nuk duket të jetë gjë e keqe. Për këtë arsye ju intrigoheni dhe e shikoni më për së afërti librin e gatimit dhe lexoni: ëmbëlsirë me oriz, ëmbëlsirë me fasule, ëmbëlsirë Trebeqivi.

Lidhur me këta emra të gatimeve, banorja 57-vjeçare e Sarajevës, Alma Aliq, e ka shpjegimin e vet.

“Ky është Trebeviqi. Është mal. Qëllimi ishte që të bëjmë diçka të madhe sa më shumë që të jetë e mundur, me sa më pak përbërës”, thotë Alma Aliq.

Derisa flet, ajo e shfleton një libër gatime në formë ditari.

Ky libër me kopertina lëkure, është një përmbledhje e recetave, që janë përcjellë prej fqinjit te fqinji, në kohën kur sarajevasit kërkonin për të gjetur mënyra për kursimin e përbashkët të ushqimit, pasi kishte shumë pak rezerva për shkak të bllokadës pothuajse katërvjeçare nga paramilitarët serbë të Bosnjës.

Alma Aliq banonte në lagjen Dobrinje, e cila ishte e rrethuar nga ushtarët armiqësorë në të katër anët, kështu që mund të thuhet se ishte dyfish nën rrethim dhe e ndarë nga pjesa tjetër e Sarajevës.

Por, lagja Dobrinje e kishte edhe një të mirë. Pasi ishte afër aeroportit, kjo u mundësonte banorëve që të kishin miell, sepse, siç thotë Alma Aliq, “Kombet e Bashkuara na jepnin miell si ndihmë humanitare, pasi dëshironin që ne të mbeteshim në Dobrinje”.

Ajo tregon se me tre kilogramë miell mund ta blinte një vezë.

“Ne ishim katër vetë, dhe ne merrnim nga tre kilogramë për secilin anëtar të familjes. Për tre kilogramë miell mund të blija një pako cigaresh ose një vezë”, tregon Alma Aliq.

Djalin e kishte ushtar, ndërsa jetonte me vajzën e vogël dhe me burrin e lënduar rëndë, kështu që duhej të kujdesej për menaxhimin e furnizimeve me ushqim për familje.

Por, për ta bërë këtë, ajo duhej të ecte 15 minuta këmbë nëpër kanalin e gërmuar për këmbësorë, për të arritur në një treg në lagjen tjetër, ku ajo për miell mund të merrte ndonjë mall, që kontrabandohej nga qendra e qytetit.

“Djathi Feta ishte gjëja që ne e dëshironim më së shumit”, thotë Alma Aliq, dhe shton se “ai mund të gjendej, por ishte shumë i shtrenjtë”.

Ajo së bashku me fqinjët e tjerë u bashkuan dhe filluan të mendojnë për receta të reja për gjellë. Në këtë kuadër, fqinjët e krijuan edhe një kuzhinë të përbashkët në katin përdhes të ndërtesës së tyre. Ata së bashku i përdornin ushqimet që i kishin.

Prej recetave të reja doli për shembull edhe ëmbëlsira me fasule...

Tash 20 vjet më vonë, Alma Aliq thotë se është vështirë për të kur e sheh librin e saj të gatimit, i cili tash e 20 vjet qëndroi i paprekur në kuzhinën e saj.

“Atëherë nuk kishim ujë, gaz, nxehje, rrymë. Nuk kishim as xhama nëpër dritare, por ne ishim shumë miqësorë për njëri-tjetrin dhe kujdeseshim për njëri-tjetrin”, thotë Alma Aliq dhe shton se tash, frigoriferi i saj është përplot me artikuj të freskët dhe mish, por "nuk është më shpirti i komunitetit”.

Sipas saj, shumë njerëz janë larguar nga Sarajeva, ndërsa të tjerët janë të fokusuar në punën e tyre dhe në të holla, e jo në njëri-tjetrin.

Megjithatë, ajo thekson se tash është një botë tjetër, pasi para 20 vjetësh kishte parë shumë gjëra mizore.

“Vdisnin fëmijët. Shumë fëmijë. Pa këmbë... ishte e tmerrshme”, thotë Alma Aliq. (f. b.)
XS
SM
MD
LG